GazetaMax
Lifestyle

Kjo është Kaltrina Balaj e “Elizabbeta Franchi” brendit që e adhurojnë femrat

“Kosovarja” është gjithmonë në kërkim të femrave të suksesshme, që janë shembull se si me vullnet, guxim e punë, krijojnë storien e tyre të suksesit.

Një shembull ideal i gruas së pandalshme, që ëndrrave të saj u ka dhënë jetë falë guximit për të provuar, angazhimit dhe mbështetjes së njeriut të zemrës, është edhe Kaltrina Balaj, grua e përmbushur në të gjitha drejtimet.

Kaltrina Balaj ka arritur që brendin luksoz “Elisabetta Franchi” ta dërgojë mu në zemër të Brukselit e Luksemburgut dhe ta bëjë atë të njohur e të kërkuar edhe atje.
Magazinat më prestigjioze kanë shkruar për arritjen e brendit italian në Belgjikë, e kjo falë shqiptares Kaltrina Balaj, puna e së cilës është për duartrokitje. “Kosovarja” ka vizituar dyqanet dhe ka shijuar një kafe me zonjën që bëri “çmendurinë” më të bukur në jetën e saj…

Për ata që nuk e dinë, kush është Kaltrina Balaj?
– Jam e thjeshtë, me origjinë nga Kosova, e lindur në Belgjikë, e apasionuar pas punës.
Jam ajo që ia ka dalë ta bëjë ëndrrën realitet, të punojë në botën e modës dhe ta bëjë më të mirën në biznes. Investoj shumë energji në punën time, pasi e dua, vërtet.

Si të përshkruajnë të tjerët, e si e përshkruan ti veten?
– Të tjerët më përshkruajnë si njeri i dashur, me shumë vlera, familjare, punëtore dhe me guxim.
Veten e përshkruaj si femër ambicioze, shumë e dhënë pas familjes dhe e gatshme për të ndihmuar të tjerët.
Më duhet të them që nuk dorëzohem asnjëherë…

Cila është jeta, shkollimi dhe arritjet e tua më të mëdha deri në këtë pikë të jetës?
– Shkollën e kam kryer në Belgjikë. Kam studiuar për asistente ekzekutive. Pas shkollimit dhe stazhit që e kam bërë në “RTBF” (Radio Televizionin Shtetëror të Belgjikës), jam punësuar po aty dhe kam punuar 11 vjet.
Gjatë periudhës së COVID-it, kam pasur një kërkesë të brendshme për ndryshim të jetës profesionale. Nuk e dija saktësisht se çka doja, por realisht doja diçka ku do të përfshihesha plotësisht.
Pas një kërkese online për rroba banjo, i thashë burrit se si është e mundur të mos ketë “Elisabetta Franchi” në Bruksel… Sepse, Brukseli është kryeqyteti i Evropës dhe ky brend, që ka më shumë se 100 butikë në botë, nuk është këtu!
Unë e kisha brend të preferuar “Elisabetta Franchi” dhe nuk besoja që ëndrra për të qenë pjesë e markës do më bëhej realitet.
Por, kur e do shumë një gjë dhe punon për ta pasur, suksesi nuk do të mungojë…

Dhe, si ndodhi që e solle “Elisabetta Franchi” në Bruksel e Luksemburg?
– Pak muaj pas asaj bisede, hapa dyqanin tim të parë në rrugën më luksoze të Brukselit. Nuk kam punuar kurrë në dyqan, nuk kam shitur kurrë më parë, ama, sa e kam hapur biznesin, e kam kuptuar se këtë punë e kisha në gjak.
Më vinte natyrshëm t’i këshilloja femrat, të isha në komunikim dhe bashkëpunim të çdoditshëm me stafin, të bëja porositë…
Të gjitha këto më jepnin një satisfaksion të madh, aq sa më dukej se nuk po punoja, por argëtohesha…
Pas suksesit të Brukselit dhe me dëshirën e brendit, hapëm edhe pikën në Luksemburg, duke marrë kështu projektin tim të dytë në dorë.
Dhe, ndonëse me shumë sfida, ia dolëm që brendi të jetë, të shkëlqejë dhe të ketë sukses në mes të Luksemburgut.

Thuhet se jeni e dashuruar në brendin “Elisabetta Franchi”. Si filloi “romanca” ndërmjet teje dhe brendit, cila është historia?
– Në fakt, nuk e njihja si brend para vitit 2016. Atë vit kërkoja diçka të bukur, elegante dhe fune për një festë familjare.
Dhe, në një dyqan me rroba luksoze të përdorura, e gjeta një fustan ndryshe nga të tjerët. Ishte perfekt në çdo detaj, që nga materiali, prerja etj.
Natyrisht, ishte i “Elisabetta Franchi”. Pastaj, shkova në Paris për ta parë butikun. Hyra brenda si një fëmijë që hyn në “Disenyland”.
Tutje, kam blerë fustane të brendit në Milano, Paris dhe Shqipëri.

Si është mirëpritur brendi në Belgjikë dhe ku ndodhet saktësisht?
– Butiku është hapur në periudhën më të vështirë, në vitin 2021, gjatë kohës së pandemisë. Ishte periudhë e vështirë, por ia kemi dalë, meqë ata që e njohin markën e kanë mirëpritur shumë mirë.
Tani, çdo gjë shkon në rrugën e duhur…

Për ju dhe suksesin e “Elisabetta Franchi” kanë shkruar edhe magazinat më prestigjioze. Hë?

– Hapja e butikut ka bërë bujë mediale, meqë magazinat, si: “Elle Belgique”, “Marie-Clair”, “L’Officiel”, “L’éventail”, kanë rezervuar hapësirë për të.
Hapjet janë shoqëruar me shumë marketing në vendet më të njohura dhe më luksoze në Belgjikë.

Pse femrat duhet të vishen me këtë brend?
– Për mua është marka me prurjet më të bukura, më elegante dhe më cilësore, sidomos për ne, shqiptaret, që e pëlqejmë stilin italian, glamuroz.
Është marka më e përkryer…
Sidoqoftë, sot ka shumë brende fantastike, ama për raportin cilësi/çmim, “Elisabetta Franchi” është zgjedhja e parë në linjën “Haute Couture”.

A je e kënaqur me arritjet e deritashme?
– Ende flasim për sukses relativisht të vogël, meqë ka ende punë për të fituar miliona.
E rëndësishme që e përgjithshmja është e kënaqshme në Bruksel dhe Luksemburg, ku unë dhe stafi japim maksimumin.
Për mua është shumë e rëndësishme të jem aty për çdo gjë…

Realisht, a besonit në sukses?
Besoj në punë, në mund, në djersë; besoj në ëndërr dhe në shpresë. Asgjë në jetë nuk jepet falas, qëkur lindesh e derisa të vdesësh.
Andaj, me shumë punë dhe pasion vjen edhe suksesi…

Kush është dora e fortë, mbështetja juaj kryesore në këto ndërmarrje?
– Burri im, Besmir Aliko, është dora e fortë, mbështetja, shoku i jetës sime dhe partneri im në të mirë e në të keq.
Ai ma ka bërë këtë ëndërr realitet, meqë pa mbështetjen e tij nuk do ta kisha marrë guximin për ta bërë këtë “çmenduri”.
Ai më ka thënë gjithmonë se kam kapacitet, se do të arrijë dhe do ia dalë si është më së miri.
Andaj, e falënderoj që është gjithmonë me mua…

Shqiptarët shpesh e lidhin “Elisabetta Franchi” me Marina Vjollcën. Cili është mendimi juaj për të dhe a keni ndonjë marrëdhënie a bashkëpunim?
– Marinën e kam njohur, fillimisht, nga prezantimi i emisioneve të ndryshme, e, së fundi, nga “Klanifornia”, që e shohim me burrin çdo vikend.
Më ka pëlqyer shumë si prezantuese. E pashë që ishte brend-ambasadore e “Elisabetta Franchi”.
Tani e takoj çdo vit në “Fashion Week” në Milano, në kuadër të sfilatës së brendit.
Kemi biseduar shumë herë dhe është po aq e bukur dhe e ëmbël si në ekran.

Le të kalojmë në diç tjetër. A mund të flasim për jetën tuaj private?
– Pak. Vetëm pak! Jam 35 vjeçe, me origjinë nga Kosova, ndërkaq bashkëshortin e kam nga Shqipëria, konkretisht nga Korça. Jemi takuar para 19 vjetësh në shkollë, në Belgjikë. Jemi dashuruar që atëherë.
Kemi 14 vjet martesë dhe jemi prindër të tri vajzave të bukura e të shëndetshme, të cilat shkollohen në Luksemburg, ku edhe jetojmë bashkë me vjehrrin e vjehrrën dhe i dua pa fund.
Vjehrrën dhe vjehrrin i kam ndihmë shumë të madhe rreth organizimit të jetës dhe rritjes së vajzave…
Në po të njëjtin vend i kam edhe prindërit e mi dhe motrën e vëllanë, që janë gjithë bota ime.
Kam mbështetjen e të gjithëve dhe suksesi im është edhe falë tyre.
Fatmirësisht, jam e lumtur dhe nuk më mungon asgjë.

A ke ende “ëndrra në sirtarë”?
– Jo, nuk kam ëndrra, kam vetëm projekte. E di se me punë çdo ëndërr bëhet realitet. Kemi ende plane e projekte, pasi në këtë punë jemi dy.
Për mua, shëndeti dhe familja kanë rëndësi më shumë se çdo gjë tjetër…

Diçka për femrat?
– Besoni në veten! Bëni zgjedhjet e duhura! Mos bëni hapa prapa dhe motoja ime e përhershme “me punë çdo gjë arrihet”!

Related posts

Engji lajmërohet nga bregdeti, barku i saj i zbuluar merr gjithë vëmendjen

Gazetamax.mk

Afër bregdetit, ja më kënd po i shijon rrezet e diellit Remzia

Gazetamax.mk

Lëng majdanozi çdo mëngjes për të rënë në peshë

Gazetamax.mk