Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmë në rajonin e Kumanovës, ku një banor i fshatit Rramanli ka goditur me veturë një oficer policie dhe ka vazhduar lëvizjen, duke mos iu bindur urdhrit për ndalim. Gjatë ndjekjes policore ka pasur edhe të shtëna paralajmëruese me armë zjarri.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se më 14 janar 2026, rreth orës 23:30, oficerët e SPB Kumanovë e kanë privuar nga liria S.Ç. (28) nga fshati Rramanli. Sipas njoftimit, rreth orës 22:30 në fshatin Hotël, rajoni i Likovës, i dyshuari nuk është ndalur në shenjën e dhënë nga policia dhe me automjetin “Audi A3” me targa të Shkupit ka goditur një polic, pas së cilës është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në afërsi të fshatit Rramanli, ai ka ndalur automjetin, e ka braktisur dhe ka tentuar të arratiset me vrap. Për ta detyruar që të ndalojë, një nga oficerët e policisë ka qëlluar dy herë në ajër si paralajmërim. I dyshuari është kapur dhe arrestuar në një kohë të shkurtër, ndërsa gjatë arrestimit ka ofruar rezistencë dhe ka sulmuar fizikisht një oficer policie.
S.Ç. po mbahet në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngriten kallëzime përkatëse penale, njoftojnë nga MPB.
