Sulme me dronë ndaj tri anijeve në Detin e Zi, Rumania akuzon për shkelje të së drejtës ndërkombëtare

Tri anije tregtare janë goditur të shtunën në mbrëmje nga dronë në brigjet rumune të Detit të Zi, kanë konfirmuar autoritetet e Rumanisë.

Sulmet ndodhën pranë kanalit të Sulinës, një rrugë e rëndësishme detare që lidh lumin Danub me Detin e Zi dhe që përdoret edhe nga Ukraina për eksportimin e mallrave.

Ministri i Mbrojtjes, Stefan Radu Oprea, bëri të ditur se nga sulmet nuk pati persona të lënduar, ndërsa ekuipazhet arritën t’i shuajnë zjarret që shpërthyen në bord të anijeve.

Kryeministri i Rumanisë, Luca Niculescu, i cilësoi sulmet me dronë si “të papranueshme” dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare, shkruan Euronews, transmeton “Bota sot”.

“Ato pasqyrojnë përkeqësimin e situatës së sigurisë, të shkaktuar nga lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi ai në platformën X, duke u zotuar se Rumania do të ndërmarrë masat e nevojshme së bashku me aleatët për të forcuar sigurinë në Detin e Zi.

Niculescu bëri të ditur gjithashtu se radarët e Ministrisë rumune të Mbrojtjes kishin zbuluar objektiva ajrore në atë zonë, ndërsa Forcat Ajrore të Rumanisë kishin dërguar në dy raste avionë luftarakë për të hetuar situatën.

Anijet e goditura përfshijnë cisternën për transportin e kimikateve “Evia Petrol V”, me flamur grek, anijen për transportin e mallrave të thata “Marsol”, me flamur të Saint Kitts dhe Nevisit, si dhe cisternën për transportin e produkteve të naftës “Ali Najafov”.

Një tjetër anije ishte goditur një ditë më parë

Ndërkohë, të premten, mediat ukrainase raportuan se një tjetër anije mallrash, “Larissa 1”, me flamur të Palaut, ishte goditur nga një dron, teksa dyshohej se po lundronte në drejtim të Ukrainës.

Rusia ka mohuar se po shënjestron me dronë vendet fqinje të Ukrainës.

Ministri rumun i Mbrojtjes, Stefan Radu Oprea, pritet të takohet javën e ardhshme me homologët e tij në Bruksel, ku një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë situata e sigurisë në Detin e Zi.

“Ne kemi nevojë për solidaritetin e aleatëve tanë, i cili duhet të dëshmohet përmes patrullimeve me avionë vëzhgues dhe pajisjeve për luftimin e dronëve”, deklaroi Oprea.

Burimi:botasot.info