GazetaMax
Lajme

Ish-presidenti katalunas kritikon kryeministrin spanjoll: Njohu Palestinën, por jo edhe shtetin evropian të Kosovës

Ish-presidenti i rajonit spanjoll të Katalonisë, Carles Puigdemont ka kritikuar këtë të premte vendimin e qeverisë spanjolle për të njohur shtetin palestinez.

Ai ka vënë në pikëpyetje vendimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Pedro Sanchez, duke kujtuar se Spanja nuk e ka njohur Kosovën dhe në këtë formë shteti spanjoll po ndjek “standarde të dyfishta”

Në një video të publikuar në platformën X, Puigdemont thekson se qeveria spanjolle njofton “në mes të një konflikti të armatosur që po trondit botën” dhe “mund të duket se shteti spanjoll është bërë tani një mbrojtës i së drejtës së vetëvendosjes së popujve si mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve”.
Një qëndrim që “shumica e katalanasve e kanë mbrojtur gjithmonë”, thotë lideri pro-pavarësisë së Katalonisë. Por, nuk është kështu, shton 61-vjeçari, duke kujtuar se shteti spanjoll “është një nga vendet e pakta evropiane” që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Nuk ia njeh të drejtën evropianëve të Kosovës që të vendosin lirisht për të ardhmen e tyre, pavarësisht se Bashkimi Evropian tashmë ka marrëdhënie diplomatike me ta”, thotë ai.

Puigdemont deklaron se “populli palestinez ka të drejtën e vetëvendosjes si populli i Katalonisë”.

Ndryshe, Puigdemont jeton në Belgjikë pasi kërkohet nga drejtësia spanjolle për organizimin e referendumit për pavarësi të Katalonisë në vitin 2017.

Related posts

Osmani: OSBE-ja duhet të vazhdojë të jetë themeli i sigurisë bashkëpunuese evropiane dhe platformë për dialog

Gazetamax.mk

Filloi fushata e MPB-së dhe UNDP-së “Çdo plumb ka një objektiv! Festoni me zemër jo me armë”

Gazetamax.mk

Ukraina kërkon ndihmë nga NATO për furnizim me armatimet

Gazetamax.mk