GazetaMax
Lajme

Vihet gurthemeli për kishën Nënë Tereza në Kakarriq, Dedivanaj: Do të sjellë një dritë të re atdhetare dhe kombtare në këtë trevë

Koordinatori i organizatës dhe kryetar i bordit për ndërtimin e Kishës “Nënë Tereza” në Kakarriq të Malësisë, njëherësh kryetari i Shoqatës atdhetare “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj ka mbajtur fjalim me rastin e hedhjes së gurëthemelit të kishës.

“Projekti i kësaj kishe, për të cilën sot po vendosim gurthemelin dhe që mori emrin sipas humanistes sonë më të madhe, Nënë Terezës, është bërë sipas të gjitha parametrave moderne dhe bashkëkohore të kishave dhe katedraleve më të bukura katolike. Projekti plotëson të gjitha kërkesat, si shpirtërore ashtu dhe administrative dhe jemi të sigurt se kjo kishë do të sjellë një dritë të re atdhetare dhe kombtare në këtë trevë”, ka theksuar Dedivanaj.

Dedivanaj njëherit bëri të ditur se në tokën e kësaj Kishe do të ndërtohet dhe shkolla shqipe e cila është jetike  për banorët e kësaj treve, e cila do të jetë katedër e shkollës Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga Trieshi.Kjo dhe është arsyeja që na bëri të angazhohemi dhe më shumë në aritjen e realizimit të këtij proejkti, tha ndër të tjera Dedivanaj.

Fjalimi i plotë i z. Dedivanaj:

Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues kishtar,

Zonja dhe zoterinj,

Është nder dhe privilegj që si koordinator i organizatës dhe kryetar i bordit kam rastin të flas këtu në vendlindjen time para një grupi kaq të nderuar njerëzish. Prania juaj sot këtu, në vendosjen e gurthemelit jo vetëm të ndërtimit të kishës, por ndërtimit të ardhmës sonë, do të forcojë edhe më shumë motivin e nismës sonë dhe do ta zbukurojë gjithë këtë ngjarje për të cilën jemi mbledhur këtu në Kakarriq. Duke ditur se çfarë ka kaluar populli ynë këtu në atdheun tonë, nga autoritete të ndryshme antishqiptare dhe njerëz keqdashës, jemi të sigurt se dita e sotme do të jetë jo vetëm një kthesë vendimtare shpirtërore dhe atdhetare për Kakarriqin, por edhe një nga ditët dhe momentet më të rëndësishme në historinë e re të atdheut tonë.

Po të kthehemi pak prapa në histori, mund të vëmë re lehtësisht se shigjetat shtypëse, asimiluese dhe urrejtëse drejtoheshin nga të gjitha anët drejt popullit autokton shqiptar në këto treva. Qëllimi i të gjithëve ishte eliminimi, dëmtimi i popullit shqiptar, si dhe që populli shqiptar, si trashëgimtar i Ilirëve, të humbiste traditat, kulturën dhe rrënjët. Por prezenca juaj sot këtu, si dhe zhvillimi dhe suksesi i popullit shqiptar, si në Malësi, ashtu edhe në diasporë dëshmon se keqdashësit tanë nuk ia arritën qëllimit, se populli ynë mbijetoi, u fuqizua dhe tani me hapa të sigurt ec drejt realizimit të idealit tonë të bashkimit kombëtar. Gjatë shekujve, ekstremistët antishqiptarë kanë pasur tre fusha në të cilat janë fokusuar në dëmtimin e çështjes shqiptare. Nën një ishte territori dhe kombi autokton shqiptar, të cilin ata u përpoqën ta shkatërronin dhe përvetësonin, ta diskriminonin dhe ta përçanin deri në pikat e fundit. Nën dy ishte gjuha shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra evropiane, ku armiqët tanë, për të theksuar gjuhën e tyre të sapokrijuar, u përpoqën të shuanin shqipen tonë të lashtë. Ata gjithashtu besonin se po të humbnim gjuhën tonë do të humbnim edhe identitetin dhe kombin tonë, është e pabesueshme se çfarë qëllimesh të ndyra dhe çnjerëzore kishin!

Ndërsa nën tre, dhe kjo u vu re veçanërisht gjatë kohës së Krajl Nikollës dhe arriti kulmin e saj gjatë komunizmit, ata u përpoqën të detyronin shqiptarët të braktisnin katolicizmin, të ndalonin fenë, të mbyllnin dhe shkatërronin kishat dhe katedralet, të dëbonin priftërinjtë tanë katolikë. Mania e tyre shkoi aq larg sa nuk lejuan as një kryq apo rruzare katolike në shtëpitë e shqiptarëve. Mirëpo, populli ynë e ka dëshmuar se nuk ekziston ai komunist e as socialist, as krajl Nikolla, as Tito, që mund t’i ndalojë shqiptarët të praktikojnë fenë e tyre. Ata pagëzoheshin rregullisht, krezmohëshin, dëgjonin meshën që e drejtonin priftërinjtë tanë çdo herë në gjuhën shqipe. “Meshari” i Gjon Bukuzut është një shembull i vërtetë sesi gjuha shqipe është kultivuar dhe ruajtur përmes predikimeve dhe veprave të priftërinjve katolikë shqiptarë. Këtë mision e vazhduan edhe prijësit tjerë fetar patriotë e atdhetarë siç ishin kolosi shqiptar Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi, At Zef-Leonard Tagaj, Patër Gjergj Marstjepaj,  Patër Andre Gjekaj, Atë Vinçenc Malaj e shumë të tjerë, të cilët gjithnjë theksuan në misionin e tyre meshtarak edhe promovimin e kombit dhe identitetit shqiptar. Aty ku mesha zhvillohet në gjuhën shqipe, aty gjithmonë do të ketë shqiptarë. Ndihem krenar kur shoh se meshtarët tanë aktual po vazhdojnë të njëjtin mision dhe njëri prej tyre është pikërisht Patër Mirash Miranaj, të cilin gjej rastin ta falënderoj për iniciativën dhe planin fillestar për ndërtimin e kishës “Nënë Tereza” këtu në Kakarriq. Ai ishte pikënisja e gjithë kësaj, pas së cilës u mblodhëm, formuam një bord për ndërtimin e kishës në Kakarriq dhe filluam të mbledhim shumën e nevojshme përmes aktiviteteve të përditshme dhe përpjekjeve të njëpasnjëshme. Jam krenar që kam koordinuar një Bord qe përbëhet nga një skuadër me persona të mëdhenj, atdhetar, të angazhuar dhe të sinqertë, me ndihmën e të cilëve kemi mbledhur pjesën më të madhe të shumës për ndërtimin e kishës.

Që në fillim aktivitetet tona ishin në harmoni të plotë me planet e Vatikanit, ku ishim në kontakt të vazhdueshëm me ta me ndërmjetësimin e Arqipeshkvisë së Tivarit dhe bekimi i tyre për projektin tonë na frymëzoi për të punuar edhe më shumë. Projekti i kësaj kishe, për të cilën sot po vendosim gurthemelin dhe që mori emrin sipas humanistes sonë më të madhe, Nënë Terezës, është bërë sipas të gjitha parametrave moderne dhe bashkëkohore të kishave dhe katedraleve më të bukura katolike. Projekti plotëson të gjitha kërkesat, si shpirtërore ashtu dhe administrative dhe jemi të sigurt se kjo kishë do të sjellë një dritë të re atdhetare dhe kombtare në këtë trevë.

Dëshiroj të falënderoj personalisht të gjithë ata që me rolin dhe angazhimin e tyre kontribuan për ta arritur këtë ditë, ku falënderoj çdo person që dhuroi, mbështeti apo veproi në favor të këtij projekti dhe të tillë ishin të shumtë. Diaspora dhe komuniteti shqiptar në SHBA edhe një herë e konfirmoi se çdo herë janë të gatshëm të mbështesin çdo inicijativë me rëndësi kombëtare në ardheun e tyre. Projekti i ndërtimit të kishës u mbështet nga shqiptarë të të gjitha besimeve, gjë që i shton edhe më shumë bukurinë këtij projekti dhe dëshmon se ne shqiptarët jemi një dhe askush nuk mund të na përçajë!

Një falënderim i veçantë shkon edhe për Patër Mirashin, Arqipeshkvinë e Tivarit dhe Vatikanin, të cilët ishin gjithmonë të gatshëm për mbështetje dhe ndihmë profesionale dhe eksperte.

Faleminderit dhe uroj që ky projekt, për të cilin sot po hedhim gurthemelin, të sjellë jetë të frytshme, një të ardhme të bekuar dhe gjithë të mirat për të gjithë ne.

Zoti i ruajtë dhe i bekoftë shqiptarët. Rrnoftë Shqiptaria!

Agron Dedivanaj

Related posts

Boshkov: Paga minimale shkakton pakënaqësi dhe greva

Gazetamax.mk

Spasovski në Gjenevë realizoi takim me komesarin e Lartë të OKB-së për Refugjatë, Filipo Grandi

Gazetamax.mk

Mariçiq për vizitë në Strazburg

Gazetamax.mk