Valdrin Uka merr detyrën e Menaxherit Gjeneral te Shkëndija

Valdrin Uka merr detyrën e Menaxherit Gjeneral, ndërsa Departamenti Sportiv do të drejtohet nga Erhan Selimi dhe Festim Ademi.

KF Shkëndija njofton për ndryshime në strukturën menaxheriale dhe Departamentin Sportiv të klubit. Të gjithë drejtuesit e emëruar janë pjesë prej kohësh e strukturave të Shkëndijës dhe emërimet e reja paraqesin avancim në detyrë, duke konfirmuar besimin e klubit në kuadrot e përgatitura brenda organizatës.

Valdrin Uka emërohet Menaxher Gjeneral i klubit. Me këtë rol, ai merr përgjegjësi të reja në drejtimin dhe menaxhimin ekzekutiv të KF Shkëndija.

Ndryshime pëson edhe Departamenti Sportiv. Erhan Selimi, i cili deri tani kishte detyrën e Drejtorit të Shkollës së Futbollit, emërohet Drejtor Sportiv, ndërsa Festim Ademi merr pozitën e Drejtorit Teknik të Departamentit të Sportit.

Selimi dhe Ademi do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do të mbajnë përgjegjësi të përbashkëta në menaxhimin e çështjeve sportive, me synim forcimin e strukturës, balancimin e organizimit dhe mbarëvajtjen e klubit në periudhën që pason.

Ndryshimet janë pjesë e vazhdimësisë dhe zhvillimit të strukturës së klubit, me synimin që KF Shkëndija të vazhdojë të ndërtojë, zhvillojë dhe promovojë kuadro të përgatitura për përgjegjësitë më të rëndësishme drejtuese.