GazetaMax
Bota

Shpërthime të fuqishme në Damask teksa Izraeli sulmon qendrat ushtarake

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar të martën në Damask, teksa ka raportime se Izraeli është duke goditur në mënyrë sistematike qendra të ushtrisë siriane, pas rrëzimit të regjimit brutal të Bashar al-Assadit.

Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut, organizatë me bazë në Londër, ka thënë përmes një deklarate se Izraeli “ka shkatërruar shumicën e qendrave të rëndësishme ushtarake në Siri”, derisa trupat ushtarake izraelite janë pozicionuar në zonë neutrale afër Rrafshnaltës së Golanit, të aneksuar nga Izraeli.

Qeveria izraelite e ka arsyetuar pozicionimin ushtarak, duke përmendur “arsye të sigurisë”.

Vëzhguesi Sirian ka thënë se Izraeli i ka kryer mbi 250 sulme ajrore në territorin sirian në dy ditët e fundit, me qëllim të shkatërrimit të kapaciteteve ushtarake të Sirisë.

“Izraeli i ka shkatërruar qendrat më të rëndësishme ushtarake në Siri, përfshirë aeroportet siriane dhe magazinat e tyre, radarët, stacionet e sinjaleve ushtarake, dhe shumë depo të armëve dhe municionit”, sipas organizatës britanike.

Këto raportime kanë ardhur teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli është duke “transformuar fytyrën e Lindjes së Mesme” dhe po mposht armiqtë “hap pas hapi”.

Uashingtoni ka thënë, po ashtu, se i ka kryer rreth 75 sulme ajrore kundër militantëve të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS), të cilët kanë ende prezencë në Siri, me qëllim që grupit t’i pamundësohet nisja e ndonjë trazire pas rrëzimit të Assadit.

Ndërkohë, udhëheqësit e rinj de facto në Damask kanë nisur përpjekjet për të stabilizuar situatën, teksa bota po shikon me vëmendje zhvillimet atje.

Rebelët e udhëhequr nga grupit militant, Hayat Tahrir al-Sham (HTS) kanë thënë më 9 janar se do të përdorin të drejtën e amnistisë për të gjithë personelin ushtarak të rekrutuar gjatë regjimit të Assadit.

Bashar al-Assad është ngjitur në pushtet në vitin 2000, pas vdekjes së babait të tij, Hafez al-Assad, i cili ka qenë në krye të shtetit prej vitit 1970.

Kryeministri sirian, Muhammad Ghazi al-Jalali – i cili ka qëndruar në pozitën e tij dhe është zotuar se do të bashkëpunojë me liderët e rinj – ka thënë se shumica e ministrave të kabinetit janë ende në pozitat e tyre. Jalali është thënë të jetë takuar edhe me liderët e rinj.

“Jemi duke punuar që periudha e tranzicionit të jetë e shpejtë dhe të shkojë mirë”, ka thënë ai në disa komente për televizionin Sky News Arabia.

HTS është e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në vjetët e fundit, grupi i ka prishur lidhjet që ka pasur me Al-Kaidën dhe ka mëtuar të shpërfaqë veten si alternativë pragmatike përballë Qeverisë siriane.

Megjithatë, disa grupe për të drejta të njeriut dhe qeveritë perëndimore kanë pikëpyetje për lidhjet e këtij grupi me organizatat tjera terroriste./REL

Burimi: botasot.info

Related posts

Akuzohet për korrupsion, Netanyahu paraqitet për herë të parë në gjykatë në Tel Aviv

Gazetamax.mk

​Mbi 100 mijë kërkesa për azil nga sirianët janë në pritje nga BE-ja

Gazetamax.mk

Nga djali i Millosheviqit te diktatorët e rrëzuar: Ku po strehohet Asadi në Moskë?

Gazetamax.mk