10
Burgjet si vende ndëshkimi ku kufizohet liria shërbejnë për të dënuar por edhe edukuar ata që kanë gabuar. Burgjet e vendit tonë shpesh herë janë në ballina të mediumeve për kushtet mizore në të cilat gjenden. Por, së fundmi janë shndërruar në vende të padëshiruar për politikanët. Ikja e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pikërisht një ditë para se të bastisen shtëpitë e tyre, e mos kthimi i tyre ne ditën kur edhe i caktohet masa e paraburgimit janë sinjale të qarta që në ketë vend në burg hynë vetëm ata që nuk mund të ikin. E që ngadalë po shndërrohen në vende të mbushura vetëm me personat me karroca lëvizëse. Pos Grubit e Bajramit nga vendi ishte arratisur edhe Nikolla Gruevski, shkruan Zhurnal.
Arratisjet e fundit po krijojnë standard të ri –
Ish zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i futur në listë të zezë, ndaj tij është hapur edhe padi penale për pjesëmarrje në krim e korrupsion në lotarinë shtetërore. Bashkë me Grubin në këtë lende është edhe ish drejtori i Lotarisë shtetërore, Përparim Bajrami, me çka edhe ndaj këtij të fundit është ngritur padi penale. E për të mos mjaftuar me kaq u janë bastisur edhe shtëpitë, por çuditërisht asnjeri prej tyre nuk qëlluan në ato momente.
Gjykata Penale në Shkup caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin, ndërsa masa do të zbatohet pasi të gjenden dhe të vihen në dispozicion të organeve të rendit.
“Pas njoftimit të MPB-së kompetente, se dy personat për të cilët Prokuroria Publike ka propozuar masën e paraburgimit deri në konstatimin e tyre, përkatësisht heqje lirie dhe lidhur me hetimin e Lotarisë Shtetërore, janë të padisponueshëm. organeve të rendit, ka marrë vendime me të cilat ka pranuar propozimin e prokurorisë së Prokurorisë Publike dhe i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, njoftoi Gjykata Penale.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) paraprakisht kishte njoftuar gjykatën se dy të dyshuarit për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore nuk janë në dispozicion dhe zyrtarisht kanë konfirmuar se janë jashtë Maqedonisë së Veriut.
PTHP Shkup do të lëshojë urdhër në polici për shpalljen e fletarrest nacional dhe deklaratë për lëshimin e fletarrest ndërkombëtar për ish-zv. kryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore Prparim Bajrami që ndodhen jashtë shtetit.
“Pas vendimeve të Gjykatës Themelore Penale Shkup, me të cilat u caktua masa e paraburgimit për dy të dyshuarit në hetimin e përvetësimit në “Llotarinë shtetërore”, të cilët nuk janë në dispozicion të organeve të rendit, Prokuroria Themelore Publike Shkup sonte do të lëshojë urdhërin për publikim në Ministrinë e Punëve të Brendshme i fletarrestit nacional dhe deklaratë për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar”, njoftoi Prokuroria Publike Themelore-Shkup.
Prokuroria Themelore Publike ka sqaruar hetimet për lëndën “Lotaria Shtetërore”, në të cilën fillimisht u tha se të dyshuar janë tetë persona, për të cilët prej gjashtë prej tyre u konfirmuan hetimet. Ndërkaq, ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Metodija Dimovski, nuk janë përfshirë në hetimet për rastin “Lotaria Shtetërore”, megjithatë as nuk janë hedhur poshtë kallëzimet ndaj tyre që janë dorëzuar nga Policia Financiare dhe MPB.
Përse kur hetohen personat edhe nuk shtohet kujdesi për preventivë nga arratisjet e mundshme –
Mesa duket në teatrin e arratisjeve të famshme po kontirbuon edhe mos angazhimi i duhur i organeve të sigurisë. Pra, bëhen publike hetimet për ish funksionarë të lartë derisa të njëjtit lihen të qarkullojnë lirshëm pa kurrfarë mase kujdesi. Kjo gjë pastaj ndikon që nga vendi të arratisen me tepih të kuq pa kurrfarë pengese apo shqetësimi.
Maqedonia e Veriut mësimin e duhur është dashur ta marrë nga ish kryeministri, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga vendi e nuk u kthye më. Njëjtë pati vepruar edhe kushëriri i tij Sasho Mijallkov, por ky i fundit u kthye dhe të njëjtit iu falë dënimi. Pra, hallka e gjyqësisë dhe përgjegjësisë e llogaridhënies mesa duket nuk po funksionojnë si e sa duhet.
Sepse, po krijohet një metodë e re e padrejtë e funksionimit, po bëhen hetime po konstatohen shkelje për korrupsion e keqpërdorim por llogari askush nuk po jep. Pse, sepse po arratisen nga vendi me paratë e këtij vendi. Kjo gjë nuk i shërben aspak ndërtimit të një perspektive shpresë dhënëse, përkundrazi është mësim i keq e motivim i mbrapsht për të gjithë “adhuruesit” e korrupsionit që vjedh sa të mundesh pastaj shpëton duke ikur nga vendi.