Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministër i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Izet Mexhiti, sot nga terreni në fshatin Orizare, komuna e Likovës, njoftoi një epokë të re në mbrojtjen nga përmbytjet.
“Ka filluar ndërtimi i shtratit të fortë, të sigurt dhe të përhershëm të lumit, i cili do ta mbrojë vendbanimin dhe do ta ndryshojë përditshmërinë e banorëve në vitet që vijnë!”, tha ai.
Me një investim me vlerë prej 15 milionë denarësh, të siguruar tërësisht nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, projekti përfshin një shtrat mbrojtës prej 830 metrash me mure mbajtëse 1.4 metra të larta – duke i dhënë përfundimisht fund viteve të frikës nga ujërat e fryra.
“Kjo nuk është thjesht infrastrukturë – kjo është mbrojtje e shtëpive dhe pronave bujqësore, qetësi për familjet dhe investim në një jetë më cilësore. Ky nuk është projekt politik, ky është projekt real për njerëzit që jetojnë këtu!”, theksoi Mexhiti në deklaratën e tij për mediat.
Muri mbrojtës do të veshët me gurë, jo vetëm për qëndrueshmëri por edhe për vlerë estetike – Orizarja do të bëhet jo vetëm më i sigurt, por edhe më i bukur për të jetuar.
Ministri Mexhiti theksoi se ky projekt është pjesë e strategjisë së përgjithshme të Ministrisë për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor e cila përfshin financimin e iniciativave komunale për furnizim me ujë, sisteme kanalizimi, trajtim të ujërave të ndotura dhe masa të tjera për mbrojtje nga përmbytjet.
“Ne çdo ditë jemi në terren dhe ndryshimet bëhen të dukshme – tani, këtu, për çdo qytetar”, përfundoi Mexhiti.