Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, sot kanë vizituar pjesëtarët e batalionit të tretë të këmbësorisë në kazermën “Kuzman Josifovski – Pitu” në Tetovë.
Komandanti i ri i Batalionit të III të Këmbësorisë, nënkoloneli Mile Stanoevski, gjatë vizitës informoi për angazhimin e pjesëtarëve të këtij batalioni në misionet ALTHEA, KFOR, si dhe forcat shumëkombëshe të NATO-s në Rumani dhe Bullgari. Nënkolonel Stanoevski informoi edhe për kontributin e pjesëtarëve të batalionit në përkrahjen e MPB-së në sigurimin e kufirit jugor dhe në parandalimin e kërcënimeve të sigurisë dhe forcimin e sigurisë në Institucionin Korrektues Idrizovë.
Gjatë vizitës, ministri Misajllovski vizitoi edhe disa nga objektet që janë paraparë të rindërtohen me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës së pjesëtarëve të Armatës.
Gjatë vizitës, ministri Misajllovski theksoi se kujdesi për secilin pjesëtar të Armatës është prioritet i Ministrisë, veçanërisht sigurimi i kushteve të përshtatshme për punë, sepse secili prej tyre jep një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve.
Ndryshe, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, është 20.450.820.000 denarë. Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2024, i njëjti është rritur për 322.360.000 denarë.
Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 4 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s.