GazetaMax
Lajme

Rrëfimi tronditës i të mbijetuarës nga krimet serbe: Na hodhën granatë ndërsa shtëpia ishte plot me njerëz, humba nënën dhe 5 vëllezërit dhe motrat

Kur nëna dhe pesë vëllezërit e motrat e saj u vranë në masakrën e Poklekut në vitin 1999 në Kosovë, 13-vjeçarja Elhame Muqolli ia mbathi nga një dritare dhe më vonë rindërtoi jetën e saj në Shtetet e Bashkuara. Por ajo nuk mund ta harrojë kurrë atë ngjarje.

Nga Serbeze Haxhiaj

Elhame Muqolli shprehet se ka jetuar në një “hapësirë ​​me re” për 26 vitet e fundit – me re nga tymi që ajo kujton kur shpërthyen granatat më 17 prill 1999, të cilat lanë pa jetë nënën dhe pesë vëllezërit e motrat e saj.

“Kur shpërtheu bomba e parë, pashë vetën tym dhe copëza të vockla që fluturonin në ajër”, tha Muqolli. “Nuk dëgjoja asgjë. Nuk e di nëse ishte vërtet tym ai që mbushi dhomën, apo nëse thjesht ashtu më dukej mua. Por unë vazhdoj të jetoj ende në atë hapësirë ​​me re. Nuk i shpëtoj dot. Është gjithmonë me mua.”

Muqolli ishte 13 vjeçe kur forcat serbe rrethuan fshatin e saj, Poklek, në Kosovën qendrore, atëherë një provincë jugore e Serbisë. Tre javë më parë, NATO-ja kishte nisur sulme ajrore për të ndalur një luftë brutale nga forcat nën udhëheqjen e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç. Në përgjigje të kësaj, forcat e Millosheviçit intensifikuan fushatën e tyre të spastrimit etnik dhe vrasjeve masive.

Familja e Muqollit kishte kaluar dy muaj duke lëvizur nga një fshat në tjetrin për t’i shpëtuar granatimeve serbe. Në mesin e prillit, ndërsa babai i saj fshihej në pyje, pjesa tjetër e familjes u kthye në Poklek dhe u mblodh në një shtëpi që i përkiste xhaxhait të saj Fadilit, një anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Herët në mëngjesin e 17 prillit, Muqolli dëgjoi nënën e saj, Shemsijen, atëherë 41 vjeçe, duke u thënë atyre të merrnin gjërat e tyre sepse forcat serbe po përparonin.

Familja iu bashkua një kolone me shqiptarë të Kosovës që përpiqeshin të arrinin në qytetin e Drenasit, por u kthyen mbrapsht nga policia. Po binte shi dhe ata ishin të lagur. Pasi mbërritën në shtëpi, ata ndezën një zjarr, pikërisht kur filluan granatimet.

Në dhomën e ndenjes së shtëpisë së xhaxhait të saj, Fadilit, ishin 59 persona.

“Gratë dhe vajzat vunë shami në kokë dhe disa i lyen fytyrat me hi të zi që të dukeshin sa më keq nga frika e përdhunimit”, tha Muqolli. Ajo dëgjoi nënën e saj të thoshte: “Le të presim të erret”, të cilës gruaja e xhaxhait të saj iu përgjigj: “Me sa duket, errësira s’ka për të rënë.”

Rreth mesditës, policët serbë hynë në oborr. Ata urdhëruan njerëzit të dilnin nga shtëpia, i numëruan dhe pastaj i urdhëruan të ktheheshin brenda. Pak kohë më vonë, Muqolli tha se ata morën xhaxhanë tjetër të saj, Sinanin, dhe një poet vendas të quajtur Ymer Elshani.

“Pastaj dëgjuam të shtëna me armë”, tha ajo. Trupat e dy burrave u gjetën më vonë në fund të një pusi.

Ajo që pasoi ishte një tmerr i vërtetë për ata që ishin në shtëpi. Një polic hapi derën, hodhi një granatë brenda dhe e mbylli përsëri derën.

Muqolli kujton nënat që u hodhën mbi fëmijët e tyre.

Ishte atëherë që ajo kujton tymin që mbushi dhomën, përpara se një granatë tjetër të hidhej brenda.

“Nuk e di sa gjatë qëndrova aty”, tha ajo. “Mbaj mend që hoqa që sipër kushërirën time Naimen dhe u zvarrita drejt dritares. Kur u ngrita, pashë vetëm gjak, copa rrobash dhe asnjë fytyrë. Kuptova se jo të gjithë ishin të vdekur; disa ende lëviznin.”

E ëma dhe pesë vëllezërit dhe motrat të vrarë

E plagosur në këmbë dhe gjoks, Muqolli tha se nuk ndjeu dhimbje; hapi dritaren dhe kërceu jashtë. Pa dy policë dhe ktheu shpinën.

“Nuk kisha frikë nga vdekja”, tha ajo. “Kisha frikë se do të më kapnin gjallë. Po binte shi dhe nuk dëgjoja asgjë. Doja vetëm të më vrisnin shpejt.”

Policët nuk mund ta kenë parë; pas pak kohe, Muqolli u nis nëpër fusha, duke pirë ujë shiu për të shuar etjen.

“Vura re se po lija pas pika gjaku nga këmba e plagosur. Hoqa çorapen dhe, siç mbaja mend nga filmat, u përpoqa ta lidhja fort, por nuk kisha forcë.”

Muqolli nuk mban mend se sa kohë kaloi ose sa larg eci para se të dallonte një shtëpi.

“Më dukej si ëndërr”, tha ajo.

Ishte ende ditë kur hyri në oborr. “I thashë dikujt nga ajo familje: ‘Duhet t’ia mbathni. E gjithë familja ime dhe të tjerë janë vrarë’. Ata më panë si të më kishte ikur mendja.”

Ata ia mbathën së bashku, por këmba e plagosur e Muqollit e la atë në baltë.

“Humba ndjenjat dhe rashë në një gropë të cekët të mbushur me ujë shiu. Dëgjova dikë të thoshte: ‘Ka vdekur. Duhet ta lëmë.’ Lëviza gishtin, duke u përpjekur t’u bëja shenjë: ‘Mos më lini; jam gjallë’. Pastaj ata e kuptuan që isha gjallë.”

Atë natë, Muqolli e gjeti veten në një shkollë ku ishin strehuar qindra shqiptarë të zhvendosur të Kosovës. Asaj i dhanë bukë që të hante, por nuk kishte asgjë për të trajtuar plagët e saj.

Muqolli mësoi atëherë për vdekjen e nënës së saj dhe të vëllezërve e motrave të saj – motrave të saj Albulenës, Vezires dhe Fatmires, gjashtë, 19 dhe 17 vjeçe, dhe vëllezërve të saj Rexhepit, 13 vjeç, dhe Agronit, 10 vjeç. Babai i saj, i cili ishte fshehur në pyll, vdiq pas luftës.

Në total, 53 persona vdiqën. Më e vogla ishte gjashtë muajshe, më e madhja 79 vjeç.

Dy ditë më vonë, ndërsa forcat serbe rrethuan shkollën dhe civilët përpiqeshin të iknin, Muqolli, e paaftë për të ecur, u zvarrit deri në rrugë.

“Doja të më shtypte ndonjë automjet ushtarak”, tha ajo. “Por dikush erdhi dhe më mori.”

“S’do ta marr dot veten kurrë”

Në qershor të vitit 1999, Millosheviçi tërhoqi forcat e tij nga Kosova, e cila kaloi nën kujdestarinë e Kombeve të Bashkuara përpara se të shpallte pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e fuqive të mëdha perëndimore.

Pa familje, shtëpi apo mbështetje psikologjike, Muqolli, tani 39 vjeçe, luftoi për një kohë të gjatë me plagët emocionale dhe fizike të luftës. Ajo nuk eci dot për nëntë muaj. Ajo u nis për në Shtetet e Bashkuara, ku u martua me një burrë shqiptar dhe solli në jetë dy fëmijë. Kohët e fundit filloi terapinë.

Në Poklek, shtëpia ku familja e saj u shfaros tani është një muze, ku ekspozohen rrobat, fotografitë, librat shkollorë dhe fletoret e atyre që vdiqën. Gjurmët e gjakut janë ende të dukshme.

Muqolli u mor në pyetje nga prokurorët e gjykatës së OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, por nuk pati kurrë mundësinë të dëshmonte në gjykatë.

Masakra në Poklek ishte pjesë e aktakuzave të ngritura kundër Millosheviçit dhe tre zyrtarëve të lartë të policisë dhe ushtrisë në gjykatë. Millosheviçi vdiq në vitin 2006 ndërsa ishte ende në gjyq.

“Nuk dua ta dëgjoj fjalën ‘drejtësi’”, tha Muqolli. “Ç’lloj drejtësie do të mund të ma kthejë ndonjëherë familjen time?”

“Në realitet, s’do të mundem ta marr dot veten kurrë. Ndihem e bllokuar në atë tmerr.”

Related posts

Paralajmërim i frikshëm i Zelenskyt: Nëse negociatat dështojnë, do të kemi Luftë të Tretë Botërore

Gazeta Max

Arsovska: Rindërtohet rruga “Nikolla Karev”, më e frekuentuara që lidh rrugët kryesore në kryeqytet

Gazeta Max

Trajnohen vullnetarë për mbrojtje të malit Sharr nga zjarret

Gazeta Max