Prokuroria e Lartë Publike urdhëroi vazhdimin e hetimit ndaj Kapushevskit dhe Jahoskit për rastin “Mazuti”, me vlerë 167 milionë euro

Një prokuror publik kompetent nga Prokuroria e Lartë Publike në Shkup ka marrë Vendim me të cilin ka pranuar kundërshtimin e SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM) kundër Urdhrit për ndërprerjen e hetimit për veprat penale – Keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat, si dhe Pastrim parash, kundër gjithsej 13 personave fizikë dhe një personi juridik, në lidhje me prokurimet e mazutit për TEC Negotinë.

Me këtë vendim, Prokuroria e Lartë Publike në Shkup e ka ngarkuar Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që ta vazhdojë procedurën, ndërsa prokurorit kompetent në shkallë të parë i janë dhënë edhe udhëzime shtesë për veprim.

Duke konstatuar, para së gjithash, dobësi në ekspertizat e përgatitura mbi të cilat prokurori publik nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e kishte bazuar vendimin për ndërprerjen e hetimit, Prokuroria e Lartë Publike në Shkup ka kërkuar që procedura të vazhdojë në drejtim të përcaktimit të të gjitha veprimeve individuale të të dyshuarve.

Në veçanti, duhet të përcaktohet nëse dhe kush ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta apo veprime ndihmuese, me të cilat personi juridik ESM, përmes keqpërdorimit të mjeteve të dedikuara të ndara nga buxheti shtetëror, dhe nën pretekstin e përdorimit të bazës ligjore të privilegjuar nga neni 23 i Ligjit për Prokurime Publike, ka mundësuar përfitim pasuror në përmasa të mëdha për njërin prej të dyshuarve dhe personin e tij juridik.

Prokuroria e Lartë Publike në Shkup e ka ngarkuar Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që të sigurojë dhe analizojë të dhëna shtesë nga disa institucione të tjera, si dhe të urdhërojë ekspertiza të reja, me qëllim të shqyrtimit të saktë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësisë eventuale penale.