“Do të t’ndodhë si Arlindës”, kërcënimet e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës ndaj gruas së tij

Deri para pak orësh, drejtonte Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë.

Por, Gëzim Berishës, iu vendosën prangat nga Policia e Kosovës, mbrëmjen e së premtes.

Kjo nuk lidhet me punën e tij në këtë institucion shëndetësor, por me dyshimet për dhunë në familje.

Bashkëshortja e tij, e ka raportuar rastin në Polici, pasi që Berisha, dyshohet se e kishte kërcënuar se asaj do t’i ndodhte ajo se çfarë i ndodhi Arlinda Zekaj.

Pas këtij raportimi, Berisha është ndaluar për 48 orë.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’”, tha Kaltrina Shala, zëdhënëse e prokurorisë themelore në Prishtinë.

Kjo konsiderohet të mos jetë hera e parë që Berisha kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.

Kjo e fundit, ishte ankuar për dhunë të vazhdueshme psikike nga Berisha, me të cilën tash e disa muaj nuk jetojnë bashkë.

Përfshirja e një udhëheqësi të një institucioni shëndetësor, në vepra penale, ka ngjallur reagim nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Përmes një njoftimi ata kanë njoftuar për suspendimin e Gëzim Berisha nga posti i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës.

“Drejtoria e Përgjithshme e SHSKUK-së ka autorizuar menjëherë Zyrën Ligjore që t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente për të verifikuar urgjentisht këto pretendime. Për SHSKUK-në, këto raportime janë jashtëzakonisht shqetësuese. Qëndrimi ynë institucional është i prerë, dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë. Në bazë të informacioneve zyrtare që do të pranohen nga organet kompetente, SHSKUK do të ndërmarrë masat më të rrepta administrative dhe ligjore ndaj drejtorit në fjalë”, shkruhet në njoftim.

Ky rast, vjen në ditët kur në Kosovë po mbahen protesta të vazhdueshme, në kërkim të përgjegjësisë institucionale për vrasjen e Arlinda Zekaj.

Burimi: botasot.info