Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e 48-të të rregullt miratoi njëzëri Propozim-Vendimin për pranimin e një donacioni në vlerë prej 800 mijë eurosh nga kompania Unipromet NM SHPKPV – Shkup, për rikonstruksionin e një shkolle të mesme në qytet. Vendimi u votua me 29 vota “për”, pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur, duke përfshirë edhe votat e këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), shkruan Nistori.
Këshilltari Angel Karapetrov e cilësoi këtë si projektin e dytë kapital pas shkollës së tekstilit dhe theksoi se me këtë investim zgjidhet një problem i kahershëm i infrastrukturës shkollore. Edhe këshilltari Liridon Disha e mirëpriti projektin, por shprehu interes për transparencën, duke pyetur nëse donacioni mund të implikojë ndonjë formë kompensimi nga ana e Komunës për kompaninë dhuruese.
Kryetari i Komunës, Bilall Kasami, sqaroi se donacioni nuk shoqërohet me asnjë kërkesë për përfitim apo kompensim nga kompania dhe se përfshin rikonstruksion të përgjithshëm të shkollës, kabinetit të informatikës dhe derës hyrëse. Edhe pas pyetjes së këshilltarit Veton Murati lidhur me ndonjë kompensim të mundshëm, Kasami përsëriti se bëhet fjalë për një donacion të pastër, pa kushte.
Miratimi i këtij vendimi vjen në një kohë kur përfaqësues të BDI-së në nivel qendror kanë shprehur kritika publike ndaj pranimit të këtij donacioni, duke e lidhur atë me origjinën e kapitalit të kompanisë dhuruese. Megjithatë, vota “pro” e këshilltarëve të BDI-së në Këshillin Komunal tregon një qëndrim të qartë në favor të realizimit të projektit, pavarësisht retorikës politike.
Mbledhja e 48-të u mbyll pas përfundimit të rendit të ditës nga kryetari i Këshillit, Naim Ismaili.
Aleanca për Shqiptarët e Taravarit dyshon për pastrim parash, korrupsion dhe ndikim të huaj, duke kërkuar transparencë dhe hetim të plotë. Ata theksojnë se Tetova nuk është në shitje dhe paralajmërojnë se e vërteta do të dalë në shesh.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim nga ana tjetër shprehu shqetësim dhe dënoi fuqishëm siç thonë ata përuljen publike të radhës që kryeministri i vendit i bëri kryetarit të Komunës së Tetovës, në mesin e qytetit, edhe këtë herë përballë kamerave dhe opinionit të gjerë, duke mos e lënë të përgjigjet në pyetjen adresuar vetë atij.
Ndryshe, përveç opozitës shqiptare dhe opinionit, reagoi organizata nga Tetova HUTA, duke ka kërkuar më shumë transparencë në rikonstruksionin e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”.
“Ne i bëjmë thirrje Komunës së Tetovës dhe donatorëve privatë: 1. Të ndërmerren hapa konkretë për të përfshirë historinë shqiptare të këtyre godinave; 2. Të pastrohet komunikimi publik nga elementë që mund të interpretohen si përkrahje e ndarjes identitare në institucion dhe 3. Transparencë në përmbajtjen e marrëveshjes, kushtet që mund të përfshijë, si dhe ndikimin e mundshëm të saj në komunitet”, deklaruan nga HUTA.
Ata u shprehen të shqetësuar në lidhje me mënyrën se si është prezantuar donacioni prej 800 mijë nga kompania serbe “Unipromet”, me pronar nga Serbia, Ratko Popoviq. /Nistori/
Një kërkesë zyrtare nga Nistori drejtuar Komunës së Tetovës për të bërë publik procesverbalin e seancës së 48-të të Këshillit Komunal, e mbajtur më 14 mars 2025, e gjeni në vijim:


