Kampionia e Maqedonisë së Veriut në futboll, Shkëndija e Tetovës, ka siguruar tashmë paraqitjen në fazën e ligës të Ligës së Konferencës. Por te Shkëndija synojnë të paraqiten në fazën e ligës së Ligës së Evropës, garës së dytë të UEFA-s për nga niveli.
Për ta realizuar këtë synim, te skuadra tetovare pranojnë se nuk do ta kenë të lehtë. Megjithatë, te Shkëndija premtojnë maksimumin për të arritur rezultat pozitiv të enjten në Shkup.
Ndeshja Shkëndija – Ludogorets luhet të enjten në Shkup. Ndeshja e parë e plejofit ndërmjet këtyre dy skuadrave zhvillohet nga ora 20:00.
“Normalisht që ndeshjet janë afër njëra-tjetrës dhe hapësira për t’u përgatitur nuk janë ideale për shkak të fillimit të kampionatit, por ne jemi të detyruar që çdo ndeshje ta marrim me seriozitetin maksimal si në Kupat e Evropës ashtu edhe në kampionat. Besoj se jemi dhe duke e bërë atë, kemi kundërshtarë seriozë dhe me shumë eksperiencë të fuqishme para nesh, por unë doja të them se përveçqë u përballëm në xhiron e parë ndaj TNS-së, gjithë ekipet e tjera si FCSB apo edhe Qarabag dhe kundërshtari i nesërm janë ekipe të nivelit të lartë, ku disa vjet me radhë marrin pjesë në grupe të garave evropiane.”, ka thënë Beqiri.
Ai pret nga lojtarët e tij të dalin nga fusha me rezultat pozitiv.
“Shpresoj që ekipi të japë maksimumin dhe jam i sigurt që do bëjnë paraqitjet të mirë për shkak se përveç ndeshjes që kemi zhvilluar me ekipin e Qarabgut, besoj që ndeshjet e tjera do jenë të pranueshme nga ana e skuadrës dhe shpresoj që nesër do kemi një paraqitje pozitive”, është shprehur Beqiri.
Shkëndija është prej skuadrave më të organizuara shqiptare. Por te Shkëndija pranojnë forcën e ekipit bullgar.
Megjithatë, ai thotë se kanë detyrim të japin maksimumin.
“Do të thotë, me ndërrimin e sistemit të ligave nga UEFA, besoj që tani edhe tensioni është më i vogël tek futbollistët, për shkak se ne kemi të siguruar tanimë një garë, siç është Liga e Konferencës, po ne duhet të tentojmë akoma më shumë. Ato kundërshtarë, të cilët i ka pasur Shkëndija në vitet e kaluara, kanë qenë kundërshtarë të fortë, ashtu siç është kundërshtari i fortë edhe ekipi i Ludogoretsit, por ne jemi të detyruar të bëjmë diçka, të japim maksimumin dhe të mundohemi që të mbajmë rezultat pozitiv, pavarësisht se edhe lodhja ndihet edhe normalisht edhe dëmtimet e vogla që fillojnë kohë pas kohe paraqiten, që janë normale në të gjitha ekipet tjera evropiane. Por detyrimi jonë është që të japim maksimumin dhe të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme nesër”, ka deklaruar Beqiri.
Përkrah Beqirit në konferencë ishte edhe futbollisti Reshat Ramadani.
Ai ka thënë se janë përgatitur maksimalisht për ndeshjen në Shkup.
“Atmosfera është e mirë. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës me shumë fokus dhe përkushtim. E dimë që na pret ndeshje e fortë, por edhe ne kemi cilësi dhe besim.
Presim ndeshje të luftuar, e dimë se do të jetë vështirë, por ne do ta japim maksimumin dhe shpresoj në fund të arrijmë rezultat pozitiv”, ka thënë Ramadani.
Ndeshja kthyese luhet pas një jave në Razgrad të Bullgarisë.