Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021, Bashkim Ramosaj, si kandidat i AAK-së për kryetar të komunës së Deçanit, premtoi se nëse fiton edhe një mandat qeverisës do t’i realizoj plot 20 projekte, sipas tij, madhore.
Ai kërkoi besimin e qytetarëve duke premtuar: punësim për të rinjtë, ndërtim të liqenit akumulues, zhvillim të turizmit malor, subvencione për bizneset dhe madje, një nga premtimet më të bujshme ishte se Deçani do të renditej i pari në vlerësimin e performancës komunale nga MAPL, shkruan Insajderi.
Sot, katër vjet më vonë, realiteti është tjetër. Besojeni ose jo, statistikat thonë se Ramosaj ka realizuar më pak se dy projekte për çdo vit të mandatit.
Më poshtë janë zotimet e Ramosajt, realizimi i të cilave as nuk ka filluar:
Punësimi për të gjithë të rinjtë e kualifikuar;
Ndërtimi i liqenit akumulues për hidrocentrale;
Kalimi i burimeve ujore nën menaxhimin e komunës;
Qendra e skijimit në Bjeshkët e Belegut;
Subvencionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gazeta Insajderi ka rreth dy muaj që i është drejtuar Bashkim Ramosajt për të marrë përgjigje në lidhje me arsyet e mosrealizimit të këtyre projekteve, por përkundër kësaj, ai nuk ka dhënë asnjë përgjigje.