Bartësi i listës së këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së për Komunën e Gostivarit, Martin Andonovski, realizoi një takim me Rininë e partisë (UMS) në Gostivar, ku theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në politikë dhe në zhvillimin e ardhshëm të qytetit dhe shtetit.
Në një atmosferë entuziaste, Andonovski u shpreh se rinia është motivimi dhe mbështetja e tij më e madhe në këtë rrugëtim politik.
“Sonte jam me të rinjtë – me motrat dhe vëllezërit e mi me të cilët kam kaluar shumë gjatë kësaj periudhe. Ata janë era në krahët e mi. Janë arsyeja pse besoj se ndryshimi është i mundur,” deklaroi Andonovski.
Ai potencoi se VMRO-DPMNE po u jep hapësirë dhe përkrahje të sinqertë të rinjve, jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete që kanë për qëllim të krijojnë kushte që rinia të qëndrojë në vend dhe të ndërtojë të ardhmen e vet në Maqedoni.
“Si bartës i listës së këshilltarëve në Gostivar, dua të dëshmoj se ne kemi vizion dhe energji të re. Ne nuk bëjmë vetëm premtime, por ofrojmë zgjidhje. Ky takim është vetëm fillimi i një fitoreje të madhe që na pret më 19 tetor,” shtoi ai.
Takimi u përmbyll me mbështetje të fortë nga të rinjtë, të cilët u zotuan për një angazhim të palëkundur drejt fitores së VMRO-DPMNE në zgjedhjet lokale të ardhshme në Komunën e Gostivarit.