Emir Sulejmani, kandidat për kryetar të Komunës së Zhelinës nga Koalicioni AKI, përmes një postimi të fuqishëm në rrjetet sociale dërgoi një mesazh të qartë kundër strukturave aktuale të pushtetit lokal, duke theksuar se “i ka kapur panika – sepse e dinë që populli po vjen!”
Sipas Sulejmanit, qytetarët e Zhelinës janë të vetëdijshëm për dështimet e pushtetit aktual dhe janë të vendosur për ndryshim të vërtetë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor.
“Nuk ka më durim për mashtrime. Nuk ka më vend për arrogancë e premtime boshe. Populli është zgjuar dhe kërkon llogari. Ata që kanë keqqeverisur, e dinë që fundi po u vjen – ndaj dhe i ka kapur panika,” shkroi Sulejmani.
Ai theksoi se fushata e Koalicionit AKI është ndryshe – e ndërtuar mbi parime të qarta, komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët dhe përkushtim ndaj nevojave reale të secilës lagje, fshat dhe familje në Zhelinë.
“Çdo ditë jam në terren, me njerëzit. I dëgjoj hallet e tyre, shpresat dhe zhgënjimet. Ka shumë punë për të bërë – por ka edhe shumë besim se këtë herë do të fitojë drejtësia, ndershmëria dhe zhvillimi,” u shpreh ai.
Sulejmani premton një qeverisje lokale transparente, me zero tolerancë ndaj korrupsionit, me investime të drejta dhe me fokus të veçantë te rinia, arsimi, bujqësia dhe përmirësimi i infrastrukturës.
“Zhelina meriton më shumë. Jo stagnim, jo klane partiake, jo vendime të imponuara. Më 19 tetor, fillon ndryshimi që të gjithë e presim – me votën e popullit, për një Zhelinë të re,” përfundoi Emir Sulejmani.