Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati i koalicionit Vlen për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi takim me lojtarët dhe drejtuesit e klubit të basketbollit Çair 2030, një ndër historitë më të suksesshme të sportit vendor në dekadën e fundit.
Ky klub, që nisi nga një grup i vogël entuziastësh, sot garon në Superligën e Maqedonisë së Veriut, duke përfaqësuar me dinjitet komunën dhe duke inspiruar brezat e rinj.
“Çairi ka një histori të pasur në sport. Është koha që kjo histori të mbështetet me përkushtim institucional, sepse sporti nuk është vetëm lojë – është edukim, karakter, shëndet dhe krenari,” theksoi Mexhiti gjatë vizitës në ambientet e klubit.
Ai vlerësoi punën e trajnerit Erhan Ramadani, që me vizion dhe qasje profesionale po udhëheq ekipin drejt rezultateve të reja, dhe ritheksoi përkushtimin që, si kryetar i ardhshëm i Komunës së Çairit, do ta ketë për:
Mbështetje të strukturuar për klubet dhe sportistët e rinj;
Investime në infrastrukturën sportive moderne dhe të qasshme për të gjithë;
Politika të qarta për zhvillimin e jetës rinore dhe kulturore në komunë.
Komuna e Çairit, siç u tha në takim, ka vënë hapësirat sportive në shërbim të klubit pa pagesë, duke u siguruar që basketbollistët të kenë kushte të përshtatshme për stërvitje dhe gara. Mexhiti mori gjithashtu një fanellë simbolike nga klubi, si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e dhënë.
“Kur investojmë në sport, investojmë në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe në një Çair më të fortë. Rinia është pasuria jonë më e madhe dhe duhet të ketë hapësirë për të lulëzuar,” tha mes tjerash Mexhiti.
Si kandidat i koalicionit Vlen, Mexhiti po zhvillon një fushatë që mbështetet në përvojën, vizionin dhe besimin në potencialin e qytetarëve të Çairit, duke e konsideruar sportin si një shtyllë kyçe të zhvillimit lokal.