Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, njoftoi në një konferencë për media se do të tërheqë të gjithë personelin nga Ambasada e BiH-së në Beograd, për shkak të sjelljes së zyrtarëve të Serbisë pas vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Konakoviq tha se do të tërheqë të gjithë punonjësit e ambasadës, përveç ambasadorit dhe konsullit, pasi nuk ka kompetenca për tërheqjen e tyre. Ambasadorët dhe konsujt emërohen nga Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës. Shërbimet e tyre në të ardhmen do të mbulohen nga punonjësit e ambasadave të BiH-së në Mal të Zi dhe Kroaci.
Shefi i diplomacisë boshnjake mori këtë vendim pas ceremonisë së sotme të varrimit të Ratko Mlladiqit, e cila u zhvillua në Beograd dhe ku morën pjesë një numër i madh zyrtarësh nga Serbia dhe nga një pjesë e Bosnjë e Hercegovinës. Më herët në Serbi u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore, ndërsa mediat dhe zyrtarët shtetërorë vazhdimisht kanë nxitur glorifikimin e kriminelit dhe krimeve që ai ka kryer.
“Kulmi ishte mbrëmë në ndeshjen e Crvena Zvezdës, me mesazhin ‘Drejt Potoçarit’. Ky është alarmi i fundit për të reaguar”, deklaroi Konakoviq.
Edhe pse Konakoviq nuk ka kompetencë për ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike të BiH-së me Serbinë, ai pret që të arrijë të tërheqë të gjithë personelin që mundet, duke e lënë ambasadorin Aleksandar Vranjesh të vetëm në Beograd.
“Sikur të mundesha, do t’i ndërprisja menjëherë sot marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Ajo që mund të bëj, do ta bëj për t’i reduktuar marrëdhëniet në minimumin e mundshëm. Do ta kufizoj dhe zvogëloj çdo komunikim me ta. Do t’i tërheqim të gjithë njerëzit që mundemi, ndërsa çështjet konsullore do t’i transferojmë në Zagreb dhe Podgoricë”, tha Konakoviq.
Përveç reduktimit të marrëdhënieve me Serbinë në minimum, Konakoviq tha se ka përgatitur edhe një sërë notash diplomatike për shkak të sjelljes së Serbisë.
“Sot kemi përgatitur disa draft-dokumente dhe po dërgojmë letra njëra pas tjetrës, me mesazhe të ndryshme. Fillimisht, BE-së publikisht i pyes: A i respektoni vërtet parimet tuaja? A po mbroni atë për të cilën na keni obliguar të angazhohemi? Kjo është para së gjithash çështje e politikës së sigurisë”, tha ai.
Konakoviq paralajmëroi se do të zhvillojë një numër të madh bisedash telefonike dhe ndoshta edhe vizita diplomatike, duke theksuar se kjo është një çështje parësore për Bosnjë e Hercegovinën.
“BE-ja duhet të tregojë nëse do të tolerojë diçka që nuk do ta toleronte kurrë brenda Unionit”, tha Konakoviq.
Ai gjithashtu bëri të ditur se do t’u drejtohet vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, duke thënë se diplomacia e Aleksandar Vuçiqit ka qenë aktive për vite me radhë në promovimin e asaj që ai e cilësoi si gënjeshtra, ndërsa diplomacia boshnjake ka qenë pasive në promovimin e së vërtetës.
Ratko Mlladiq vdiq më 27 gusht, gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm në njësinë e paraburgimit të Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale. Ai ishte dënuar për krime lufte të kryera në Bosnjë e Hercegovinë.
Pas vdekjes, trupi i tij u transferua në Beograd, ku u mbajt ceremonia përkujtimore dhe më pas varrimi, me pjesëmarrjen e një numri të madh zyrtarësh nga Serbia dhe nga një pjesë e Bosnjë e Hercegovinës.
Varrimi dhe ceremonia përkujtimore u shoqëruan me glorifikim masiv të Mlladiqit dhe krimeve të tij, si në shoqëri ashtu edhe në nivelet më të larta shtetërore, duke nxitur kërkesa nga politikanët boshnjakë për reagime të ashpra dhe sanksione ndaj Serbisë.
