Forcat ruse kanë kryer sulme ajrore duke shënjestruar disa rajone në mbarë Ukrainën, teksa Moska po tenton që të bëjë përparim në front, thanë zyrtarët ukrainas.
Ndërkaq, një guvernator rus fajësoi Ukrainën për një sulm me dronë që shkaktuan ndërprerje të operacioneve në një stacion pompimi të një naftësjellësi të madh më 27 shtator.
Sulmet vijnë në kohën kur mundësitë për paqe duken të pakta dhe shumë presin që pushtimi rus i Ukrainës të vazhdojë edhe në për vitin e pestë këtë dimër.
Sulmet ruse goditën infrastrukturë kritike dhe një ndërtesë banimi në një “sulm masiv” në rajonin Vinitsia të Ukrainës, tha zyrtarja rajonale Natalia Zabolotna në Telegram. Shërbimi hekurudhor u ndërpre, por nuk u raportua për viktima.
Sulmet me dronë dëmtuan dy ndërtesa të larta banimi dhe ndërtesa të tjera në Zaporizhja, që gjendet afër frontit, tha shefi i administratës rajonale ushtarake, Ivan Fedorov. Qyteti dhe rajoni përreth kanë qenë cak i sulmeve të vazhdueshme.
Dy persona janë plagosur pas sulme me raketa në rajonin Sumi, që gjendet në kufi me Rusinë, si dhe një shtëpi e një kompani janë dëmtuar nga granatimet në qytetin jugor të Hersonit, thanë zyrtarët.