GazetaMax
Lajme

Dimitrievski: Kumanovën po e bëjmë qendër rajonale ekonomike të Ballkanit

Dimitrievski dha një raport të shkurtër për punën e deritanishme, duke theksuar se ai dhe ekipi i tij, së bashku me qytetarët, kanë realizuar mbi 800 projekte.

Lideri i lëvizjes ZNAМ – Për Maqedoninë tonë, Maksim Dimitrievski, në konferencën e sotme për media, në fillim të fushatës zgjedhore, tha se kjo lëvizje do të jetë fitues i madh në këto zgjedhje lokale – në Kumanovë, në Çair, në Qendër, në të gjitha 53 komunat dhe në qytetin e Shkupit ku kanë kandiduar lista këshilltarësh. Ai kërkoi besimin e qytetarëve për të vazhduar ta ndryshojë Kumanovën për të mirë.

“ZNAМ vepron me agjendë, me plan dhe me koncept. Në krye të agjendës sonë janë komunat e zhvilluara, moderne dhe të qëndrueshme. Në krye të agjendës sonë është një Maqedoni më e mirë, më e fuqishme dhe më prosperuese. Jam i bindur se ZNAМ do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve sepse kemi kandidatët më të mirë për kryetarë komunash dhe këshilltarë – njerëz të respektuar e të çmuar në mjediset e tyre, që me zgjedhjen e tyre do të sjellin cilësi të re në punën e komunave dhe këshillave komunalë”, tha Dimitrievski.

Si kryetar aktual i Kumanovës dhe kandidat për një mandat të ri katërvjeçar, ai theksoi se gjatë tetë viteve të fundit së bashku me qytetarët kanë treguar se çfarë do të thotë të rrokësh punën dhe si duhet të udhëhiqet komuna më e madhe në Maqedoni.

“E kemi rikonstruktuar nga themeli sallën sportive, po e ndryshojmë pamjen e Sokolanas, po e rregullojmë Parkun e Qytetit dhe Sheshin ‘Marshal Tito’. Dhe, ajo për të cilën jam veçanërisht krenar – nuk e premtuam, por e realizuam – futuam transport publik falas për të gjithë”, tha ai.

Dimitrievski shtoi se Kumanova duhet të bëhet qendër e re rajonale ekonomike në Ballkan, ku përveç zhvillimit lokal, do të zhvillohet edhe ekonomia rajonale, do të rritet numri i vendeve të punës, do të ketë investime vendore dhe të huaja. Ai përmendi investimet e “Lidl”-it mbi 108 milionë euro, si dhe të kompanive “Armos Plus”, “Drexlermaier” dhe bizneseve vendore që po riinvestojnë në qytet.

Sipas tij, kjo do të rrisë fuqinë ekonomike të qytetarëve dhe njëkohësisht do të jetë motivim për të rinjtë që të qëndrojnë, të krijojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kumanovë.

Ai paraqiti edhe disa nga projektet prioritare për mandatin e ardhshëm katërvjeçar: zgjidhje të reja të komunikacionit për shoferët, këmbësorët dhe çiklistët, tre çerdhe të reja, rikonstruksion shkollash dhe ndërtim të parqeve.

Lideri i ZNAМ njoftoi se do të zhvillojnë një fushatë pozitive e të ndershme, pa akuza e fyerje, duke e bazuar garën te programet.

Në fund, Dimitrievski paralajmëroi se të mërkurën, në orën 19:00, në Sheshin e Qytetit në Kumanovë, do të mbahet Konventa për promovimin e kandidaturës së tij për kryetar komune dhe prezantimin e listës së këshilltarëve, ku ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë dhe të njihen nga afër me të gjitha zgjidhjet dhe projektet për të ardhmen e qytetit.

Related posts

Lorans Bon do të sjellë mesazh për miqësi dhe mbështeje për perpektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut

Gazeta Max

Vizita e muzeve nesër do të jetë falas për të gjithë qytetarët në Maqedoni

Gazeta Max

A është punësimi i Dorartit, Petritit dhe Blerimit, shkak i rebelimit të Tasevskit në M-NAV?

Gazeta Max