GazetaMax
Lajme

Flor Binaj demokratët dhe shansi për qytetin – Një letër e hapur për të dhe popullin opozitar

Nga Nikola Kedhi

Po e them që në krye të këtij shkrimi: unë mendoja se nevojitej një figurë politike. Për mua, fjalët “figurë apolitike” nuk përbëjnë asnjë sens. Çdo çështje në jetën tonë është politike, nga ankesat për rrugën e lagjes deri te rritja e çmimit të kafesë. Ka pasur një përpjekje, kryesisht nga e majta, për ta bërë pis fjalën “politikë”, për të larguar qytetarët nga politika dhe për t’ua kthyer atë në diçka të huaj, që nuk u përket, madje që u neveritet. Propaganda ka qenë aq e fortë në largimin e qytetarit ndaj politikës, po aq sa për fshirjen e çdo arritje të Shqipërisë përpara vitit 2013, arritje të realizuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Ndaj po, Tiranës i duhen zgjidhje politike, sepse problemet e saj vijnë nga politikat e gabuara, antishqiptare të dekadës së fundit.

Më vjen mirë që Partia Demokratike dhe e gjithë opozita e bashkuar në fund mbështetën një figurë politike, edhe pse jo partiake. Florjan Binaj është, përveçse artist dhe arkitekt me profesion, një qytetar i angazhuar, organizues dhe pjesëmarrës në protesta me kauza që prekin çdo shqiptar, kauza që janë të njëjtat me ato të demokratëve që kanë ngritur zërin më shumë se kushdo kundër padrejtësive, kundër korrupsionit, kundër çmimeve të larta dhe kundër ndotjes së qytetit tonë.

A është zoti Binaj figura më e mirë e mundshme? A ka dhënë mbështetje politike në të kaluarën që krijojnë dilema? A do dijë të përballet me partinë-shtet dhe t’i japë një goditje që mund të rezultojë fatale për të? Pyetje të drejta, të cilat kandidati do duhet mbase t’i adresojë. Por tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër. Pavarësisht rezervave që kushdo mund të ketë, Flor Binaj është tani kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita e bashkuar. Çdo debat mes opozitarësh, çdo supozim se cili mund të ishte kandidati që do na pëlqente ne, duke nis nga ai që do më pëlqente mua të parit, shërben vetëm për të rritur shanset e fitores së kandidates së asaj që unë e quaj shumicës formale, apo shumicë e uzurpuar.Por, në këtë pikë që jemi, ose do diskutojmë ende e pambarim cili mund të kishte qenë kandidati ideal, çfarë problemesh pati procesi i javës së fundit, të merremi me çdo të metë të mundshme të opozitës, ose do të shohim betejën përballë. E vetmja mënyrë, që në rast të çdo rezultati të bëhen analiza të drejta e pa emocion e të nxirren përfundime të sakta, është nëse ne të gjithë bëjmë si duhet çdo detyrë e përgjegjësi tjetër. Vetëm kështu do shihet qartë se çfarë eci dhe çfarë çaloi në këtë proces që bëhet për herë të parë në këtë formë.

Sot, fokusi duhet të jetë i qartë: mundja e përfaqësueses së partisë-shtet dhe rikthimi i një fije shprese për shqiptarët, që kanë parë shumë pak dritë gjatë dekadës së fundit. Po, Florjan Binaj është më i mirë se kundërshtarja e tij. Po, opozita që e mbështet është më e mirë se regjimi që ka varfëruar qytetarët, ka shpopulluar Shqipërinë dhe ka shkatërruar çdo institucion të lirisë. Dhe po, një humbje e shumicës në Tiranë do të ishte goditja më e madhe politike që kjo qeverisje mund të marrë. Nëse ne deri në 9 nëntor merremi me të gjithë mangësitë e pakënaqësitë, ndërkohë pala përballë marshon e patrazuar duke u fokusuar vetëm te qëllimi që kanë, ne thjesht kemi ndihmuar ata në atë qëllim të tyrin.

Në Greqinë e lashtë, filozofët që themeluan konceptin e demokracisë nuk e shihnin pushtetin si karrierë, por si shërbim. Zgjedhjet nuk ishin për profesionistë të politikës, por për qytetarë me virtyt dhe kurajë që përkohësisht përfaqësonin komunitetin. Flor Binaj, si qytetar aktiv, si njeri që ka mbajtur barrën e fjalës publike dhe i ka qëndruar pranë njerëzve, mishëron këtë ideal. Ai përfaqëson, ose do duhet të përfaqësojë kthimin e ndërgjegjes qytetare, brenda politikës, të riktheje angazhimin qytetar në proceset politike, dhe pse jo mandej në partitë politike, duke e zhbërë propagandën se në politikë nuk ka vend për qytetarët e angazhuar.Unë e kam thënë shpesh që në një regjim reagimi do duhet të vijë së pari nga partitë politike (dhe një Zot e di barrën që kanë mbajtur demokratët këto vite, të vetëm e shpesh të linçuar), por më pas dhe nga qytetarë të angazhuar, nga mediat e nga çdo qelizë e shoqërisë shqiptare. Sot, është koha që shoqëria shqiptare të reagojë si një trup i vetëm, së bashku me partitë politike, për të dhënë zgjidhje qytetare dhe politike.

Por është e domosdoshme të thuhet hapur një e vërtetë që shpesh fshihet: asgjë nga kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa demokratët, njerëzit që, pavarësisht goditjeve, ndarjeve, padrejtësive e shpifjeve, mbeten forca morale dhe kombëtare më e qëndrueshme e vendit.

Ata hoqën dorë edhe këtë herë nga shumë figura të denja brenda tyre, nga emra me integritet që mund të kishin bërë një betejë dinjitoze.Por e bënë për një qëllim më të madh: bashkimin.

Demokratët janë akuzuar, përçmuar, trajtuar si qytetarë të dorës së dytë nga analistë cinikë dhe mediat e kapura. Janë quajtur, “të vjetër”, “të papërmirësueshëm”, “të mbaruar”.

Por janë pikërisht ata që kanë mbajtur gjallë flakën e qëndresës që nga 1945-a deri në 2025-ën. Janë ata që kanë rrjetin e vetëm kombëtar opozitar, të strukturuar në mbarë vendin, e që kanë përvojën, disiplinën dhe ndjenjën e sakrificës që mungon mbase gjetkë.

Zoti Binaj, bëjini ata pjesë të koalicionit tuaj!

Fitojuani besimin. Dhe do të keni partnerët më besnikë në këtë betejë për kryeqytetin.
Ata do të jenë njerëzit që, edhe pse ju nuk vini nga radhët e tyre, do të bëjnë gjithçka për të parë Tiranën të çlirohet nga korrupsioni dhe arroganca e pushtetit. Ata janë njerëzit që, edhe kur shumëkush t’ju braktisë nga presionet e shumta, do i keni në krah, për sa kohë që të ndani të njëjtat parime e beteja.

Demokratët janë krenaria, qëndresa dhe vlera e shoqërisë shqiptare. Janë arritjet e këtij vendi dhe muri mbrojtës kundër një regjimi që kërkon të uzurpojë çdo gjë.

Është falë ndjenjës patriotike të demokratëve, dhe liderit të tyreBerisha, që dolën përtej interesave partiake dhe përkrahën një kandidat që nuk vinte prej tyre, që sot kemi, mbase për herë të parë pas shumë vitesh, një opozitë realisht të bashkuar me gjasa për të krijuar një dallgë që mund të përmbysë presionin, manipulimin dhe frikën, ashtu siç ka ndodhur në Shkup para pak vitesh, në Rumani apo vende të tjera.

Zoti Binaj, keni mbi supe një barrë të madhe, shpresën e gjithë popullit opozitar, nga partitë politike te shoqëria e pa atashuar me parti, që lind nga ky bashkim historik forcash. Krimi më i madh do të ishte vrasja e kësaj shprese. Mos lejoni që t’jua sabotojnë fushatën as sirenat e emisioneve të darkës, as grupet apo individët me agjenda personale. Jam i bindur se do jeni vetvetja gjatë fushatës, se do i besoni instinktit dhe ndërgjegjes suaj qytetare, asaj që keni treguar për vite në betejat tuaja publike dhe në emisionin që drejtoni.

Jam po aq i bindur se të gjitha forcat politike që ju mbështesin do të ngrihen në nivelin që kërkon ky moment historik dhe do të bëjnë më të mirën për të bindur qytetarët se ekziston një dritë në fund të tunelit të errët dymbëdhjetëvjeçar, ndërsa ju vetë vini me “elektoratin” tuaj, shoqërinë civile, e veçanërisht të rinjtë. Mobilizimi i të tërë këtyre grupimeve, me aftësitë tuaja në komunikim dhe në kontakt me çdo votues, si dhe platforma që do të paraqisni, duhet të adresojnë problemet e përditshme të qytetit, por edhe të ofrojnë një vizion që shkon përtej një cikli elektoral, një vizion që mbron familjen, fëmijët, identitetin dhe dinjitetin tonë, adreson infrastrukturën e munguar, mungesën e ujit, gjërat më bazike për një qytetar, dhe u rikthen qytetin banorëve të tij.

Vetëm kështu Tirana mund të shpëtojë.

Dhe bashkë me të, edhe shoqëria shqiptare.

Related posts

Zëvendës drejtori Ademi merr pjesë në Debatin publik për draft-versionin e Ligjit për revizion shtetëror

Gazeta Max

Prokuroria e Kumanovës heq aktakuzën kundër kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski

Gazeta Max

Kishte marshuar nga Bosnja drejt Kosovës, kush është ushtaraku rus që po e brengos Kurtin

Gazeta Max