Kandidatja për kryetare të Qytetit të Shkupit nga LSDM dhe koalicioni, Kaja Shukova, sot prezantoi vizionin e saj për Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Sipas saj, Çarshia është shpirti i Shkupit, por, siç tha ajo, është “e mbytur nga papastërtia, kaosi administrativ dhe neglizhenca institucionale.”
“Plani ynë është i qartë – vizioni është t’ua kthejmë Çarshinë qytetarëve të Shkupit. Kam zgjidhje: pastrim i përditshëm, pajisje e re urbane, ndriçim publik dhe zona me Wi-Fi, gjithmonë me respekt ndaj pamjes autentike,” – deklaroi Shukova nga sheshi para përmendores së Skënderbeut.
Nëse fiton besimin e qytetarëve të Shkupit, ajo premtoi mbështetje për tregtarët dhe zejtarët, përmes fondeve buxhetore për rikonstruksionin e dyqaneve, ndihmë juridike dhe financiare, si dhe hapjen e shkollave të zejtarëve dhe punëtorive artizanale.
“Qëllimi ynë është që Çarshia më në fund të ketë një qendër menaxhimi nën kompetencë të plotë të Qytetit të Shkupit – pa labirinte institucionale, por me administratë efikase, të shpejtë dhe transparente për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë aty,” – theksoi Shukova.
Ajo paralajmëroi gjithashtu mbështetje në fushën e kulturës, përfshirë renovimin e Suli Hanit, mbështetje për studentët e arteve figurative, hapjen e atelieve artistike dhe programe kulturore.
“Kemi plan për zhvillimin e një platforme digjitale për turistët, për vendosjen e shenimeve shumëgjuhëshe, përmirësimin e infrastrukturës për këmbësorë dhe krijimin e rrugëve kulturore evropiane, sepse Çarshia duhet të tërheqë turistë, të jetojë dhe të rritet. Kjo nuk është një tjetër premtim, por një vizion që e kthen Çarshinë në zemrën e gjallë të Shkupit, sepse ne po luftojmë për shtëpinë tonë,” – shtoi kandidatja për kryetare nga LSDM dhe koalicioni.