GazetaMax
Lajme

Osmani paralajmëron masa urgjente në 100 ditët e para, pastrimi i Çairit

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, paralajmëroi masa konkrete dhe urgjente që do t’i ndërmarrë menjëherë pas marrjes së detyrës: pastrimin masiv të komunës, krijimin e një mekanizmi për luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe zgjidhjen e menjëhershme të të gjitha lëndëve dhe kërkesave për legalizimin e objekteve nga qytetarët.

“Nëse në 100 ditët e para nuk e pastroj Çairin, nuk do të vazhdoj më tej”, tha Osmani, duke shtuar se kjo është puna më e lehtë, por edhe më e rëndësishmja, që ua vështirëson jetën njerëzve.

Osmani e përcaktoi qartë edhe prioritetin e dytë kritik, luftën kundër korrupsionit.

“Nëse në 100 ditët e para nuk e çoj korrupsionin në zero në Çair, nuk do të vazhdoj më tej”, theksoi Osmani.

Sa i përket ndërtimeve pa leje dhe pasigurisë juridike që e ndiejnë qytetarët, Osmani paralajmëroi veprime urgjente për t’u përballur me këtë problem dhe për të mbrojtur qytetarët që janë mashtruar gjatë blerjes së banesave.

“Nëse brenda gjashtë muajve shfaqet ndonjë dosje për legalizim në ndonjë sirtar për t’i shantazhuar njerëzit kur të afrohen zgjedhjet, nuk do të vazhdoj më tej. Do t’i zgjidhim të gjitha dokumentet dhe kërkesat për legalizim, sepse vetëm kështu punohet”, potencoi Osmani.

Ai e vuri përgjegjësinë e tij personale dhe rezultatet e deritanishme si garanci për përmbushjen e premtimeve.

“Ne çdo detyrë që e kam pasur, edhe në më të vështirat, kam dalë me rezultate. Sepse, nëse vazhdojmë kështu, nuk do të ketë më shpresë. Njerëzit do ta humbasin shpresën, një grup do të vazhdojë të pasurohet në kurrizin tuaj, ashtu siç ka bërë për njëzet vjet, ndërsa fëmijët tanë do të kërkojnë rastin e parë për ta lënë Çairin. Këtë duhet ta ndalim së bashku”, theksoi Osmani.