Investimet në teknologji të reja dhe më efikase janë një nga rrugët kryesore për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe forcimin e sigurisë energjetike. Kështu deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, gjatë vënies solemne në përdorim të centralit të ri kogjenerativ të kompanisë “Tessa Energy” në Çair të Shkupit.
“Kur flasim për kthesë të gjelbër, flasim për ndryshime konkrete. Prandaj pikërisht janë të rëndësishme investimet në teknologji të reja dhe më efikase, veçanërisht kur bëhet fjalë për Shkupin dhe luftën kundër ndotjes së ajrit”, theksoi Hoxha.
Në ceremoninë ku morën pjesë dhe folën edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të kompanisë, u prezantua faza e parë e ciklit investues, me vlerë prej 2.5 milionë eurosh.
Centrali i ri është i pajisur me dy motorë gazi me efikasitet të lartë, të cilët prodhojnë njëkohësisht 2.1 MW energji elektrike dhe 2.6 MW energji termike, ndërsa shfrytëzimi i përgjithshëm i energjisë arrin deri në 90 për qind.
Ministri Hoxha vlerësoi se investimi dëshmon rëndësinë e përfshirjes dhe përgjegjësisë së të gjithë faktorëve në sektorët e energjetikës dhe industrisë për krijimin e ndryshimeve pozitive në mjedisin jetësor.
Sipas tij, projekti tregon gjithashtu potencialin e sektorit privat për të investuar në teknologji më të pastra dhe më efikase.
Një nga përfitimet konkrete të sistemit të ri është shfrytëzimi i nxehtësisë së mbetur gjatë prodhimit të energjisë elektrike. Kjo nxehtësi transferohet në sistemin e “Energy Ecolink”, ku përdoret për ngrohjen e ujit për rreth 500 amvisëri dhe 14 institucione në komunat e Çairit dhe Butelit.
Në këtë ngjarje u paralajmërua edhe faza e dytë e investimit, e cila parashikon ndërtimin e një termocentrali të ri kogjenerativ me fuqi të instaluar prej 10.5 MW.
Me realizimin e kësaj faze, pritet të forcohet sistemi i ngrohjes qendrore dhe të rritet prodhimi vendor i energjisë elektrike.
“Investimet e tilla dëshmojnë se zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe mbrojtja e mjedisit jetësor mund të ecin së bashku dhe të sjellin përfitime konkrete për qytetarët”, porositi ministri Hoxha, duke uruar realizim të suksesshëm të projektit.
