Austriaku Florian Zoller ka vendosur një rekord botëror në disiplinën e slackline-it, pasi ka përshkuar 144 metra mbi një litar të posaçëm, të shtrirë mes dy kabinave të teleferikut në malet e Tirolit.
Kalimi u realizua në një lartësi deri në 150 metra mbi tokë dhe zgjati 15 minuta e 30 sekonda. Rekordi u konfirmua zyrtarisht nga komisioni sportiv i ISA-s më 29 tetor.
Zoller ka 17 vjet që praktikon slackline-in, një disiplinë që kërkon ekuilibër, përqendrim dhe kontroll të jashtëzakonshëm të trupit.
Në këtë sport, pjesëmarrësit ecin mbi një shirit të ngushtë e elastik, të tendosur mes dy pikave të fiksimit. Në dallim nga litari tradicional, slackline-i lëviz dhe lëkundet gjatë ecjes, duke e bërë ruajtjen e ekuilibrit edhe më sfiduese.
Rekordi i Zollerit është një tjetër dëshmi e aftësive dhe përgatitjes së nevojshme për të realizuar kalime të tilla në lartësi ekstreme.
Burimi: botasot.info
