Zëvendësdrejtori Mustafa Dauti: Aksion i fortë i Doganës, kapen emigrantë gjatë kontrollit

Brenda vetëm një dite, në dy pika të ndryshme doganore, nëpunësit e Doganës së Shkupit kanë zbuluar gjithsej 12 migrantë të paligjshëm nga Egjipti dhe Sudani. Zbulimi u bë gjatë kontrolleve të mallrave të deklaruara për zhdoganim importi.

Në terminalin doganor në Tetovë, nëpunësit doganorë dyshuan për praninë e mundshme të migrantëve përpara kontrollit të kamionit. Për këtë arsye u kërkua asistenca e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pas kontrollit, në hapësirën e ngarkesës u gjetën pesë migrantë të paligjshëm.

Vetëm dy orë më vonë, një rast tjetër u konstatua në terminalin doganor Shkup 3. Gjatë kontrollit të mallrave të deklaruara për zhdoganim importi, nëpunësit zbuluan edhe shtatë migrantë të paligjshëm.

Pas zbulimit, të gjithë migrantët iu dorëzuan Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas të dhënave të fundit të Frontex-it, migracioni i paligjshëm përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor ka rënë me 42 për qind. Dy rastet e zbuluara brenda së njëjtës ditë tregojnë rëndësinë e kontrolleve dhe të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në përballimin e migracionit të paligjshëm.