Shoqata Atdhetare “Kosova” nga Michigani uron Presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula

Shoqata Atdhetare “Kosova”, me seli në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka përcjellë një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Akademike Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, me rastin e marrjes së detyrës së Presidentes së vendit.

Në mesazhin e urimit, Shoqata Atdhetare “Kosova” vlerëson rrugëtimin e saj akademik dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj dijes, arsimit dhe edukimit të brezave të rinj.

Urojmë që drita që keni ndihmuar të ndizet në mendjet e brezave të vazhdojë të ndriçojë edhe rrugën institucionale të Kosovës”, thuhet në mesazhin e urimit.
Mesazhi është nënshkruar nga Nënkryetari Pjetër Markaj dhe Kryetari Nrec Mirdita, në emër të Shoqatës Atdhetare “Kosova”, me seli në Michigan të SHBA-së.

Ja postimi plotë:

MESAZH URIMI NGA SHOQATA ATDHETARE “KOSOVA”

E nderuara Znj. Presidente e Republikës së Kosovës, Akademike Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula,

Në emër të Shoqatës Atdhetare “Kosova”, me seli në Michigan të SHBA-së, ju përcjellim urimet tona më të përzemërta për marrjen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

Përtej nderit të kësaj detyre, qëndron një jetë e përkushtuar dijes dhe edukimit të brezave. Për më shumë se katër dekada, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ju i qëndruat besnike misionit të ndriçimit intelektual, edhe në kohë kur rrethanat politike rëndonin mbi jetën akademike dhe lirinë e popullit tonë.

Në kohë të errëta e të ftohta, amfiteatrot mbusheshin me studentë, me sy që kërkonin dritë dhe mendje që kërkonin të ardhmen. Dhe ju ishit aty, për t’ua dhënë atë dritë përmes dijes. Sepse, kur një popull përballet me përpjekje për t’ia zbehur identitetin, arsimi bëhet qëndresë, dija bëhet forcë dhe mësimdhënësi bëhet mbrojtës i së ardhmes.

Sot, rrugëtimi juaj nga auditorët universitarë në zyrën më të lartë të shtetit përfaqëson një kapitull të ri shërbimi ndaj vendit. Ju urojmë që këtë përgjegjësi ta ushtroni me urtësi, dinjitet dhe përkushtim ndaj Kushtetutës e të gjithë qytetarëve të Republikës.

E nderuara Znj. Presidente, urojmë që drita që keni ndihmuar të ndizet në mendjet e brezave të vazhdojë të ndriçojë edhe rrugën institucionale të Kosovës.

Me respekt të lartë dhe urimet më të sinqerta,

Pjeter Markaj Nenkryetar
Nrec Mirdita Kryetar
Shoqata Atdhetare “Kosova”
Michigan, SHBA