Fenerbahçe, e vendosur për ta rikthyer Muriqin.
Vedat Muriqi do të largohet gjatë verës nga Mallorca, e cila nuk vendosi për ta blerë kartonin e tij.
Sulmuesi kosovar do të rikthehet në Lazio, e cila e mban kartonin e tij.
Por, prizrenasi do të qëndrojë vetëm përkohësisht në kryeqytetin italian, pasi edhe aty i ka valixhet gati, shkruan Gazeta Express.
Mediat turke raportojnë se interesim për 27 vjeçarin ka shfaqur ish-klubi i tij, Fenerbahçe.
Muriqi e kishte veshur me sukses fanellën e klubit nga Stambolli prej nga ishte shitur në Itali për 18 milionë euro.
Edhe pse ka kontratë me “Biancocelesti” deri në vitin 2025, përfaqësuesi kosovar nuk do të qëndrojë më në Romë pasi e pati një eksperiencë dëshpëruese për një vit e gjysmë.
Muriqi e ka shprehur edhe vetë dëshirën për t’u rikthyer një ditë në futbollin turk dhe ajo ditë mund të jetë pikërisht gjatë verës që vjen.
Krahas insistimit të Fenerbahçes, interesim për sulmuesin shtatlartë qe një kohë ka shfaqur edhe gjiganti tjetër turk, Galatasaray.