Kosova dhe SHBA-ja thellojnë bashkëpunimin kundër krimit ekonomik dhe financiar

Prokurori Shqipdon Fazliu u takua me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Thesarit, me fokus në forcimin e kapaciteteve dhe koordinimin ndërinstitucional.

Forcimi i kapaciteteve të sistemit prokurorial për luftimin e krimeve ekonomike dhe financiare ishte në fokus të takimit të prokurorit Shqipdon Fazliu me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Thesarit.

Fazliu, i cili ushtron edhe detyrën e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, priti këshilltarët Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, përfaqësues të Zyrës për Asistencë Teknike të këtij departamenti.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, gjatë takimit u diskutua për koordinimin ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftimin e krimit ekonomik dhe financiar.

Fazliu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve amerikane, duke vlerësuar rëndësinë e asistencës teknike dhe profesionale për fuqizimin e kapaciteteve të sistemit prokurorial të Kosovës.

Në përfundim të takimit, palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me synim forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e krimeve ekonomike e financiare.

Burimi: botasot.info