Kuvendi i Komunës së Tuzit ka hapur rrugën për nisjen e procedurës së dhënies me qira të tokës përmes thirrjes publike, pas interesimit të një investitori për ndërtimin e një kampusi të inteligjencës artificiale dhe një qendre të të dhënave.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, bëri të ditur se, sipas propozimit të paraqitur nga investitori, projekti parashikon një investim të përgjithshëm prej 1,3 miliardë eurosh, i cili do të realizohej në tri faza.
Në fazën e parë parashikohet investimi prej 216 milionë eurosh, me një afat të propozuar realizimi prej 10 muajsh. Faza e dytë përfshin investime në vlerë prej 534 milionë eurosh, ndërsa në fazën e tretë parashikohen edhe 550 milionë euro të tjera.Sipas planit të paraqitur nga investitori, realizimi i plotë i projektit parashikohet të përfundojë brenda katër vjetësh.
Çmimi fillestar minimal i qirasë së tokës, sipas vlerësimit të Drejtorisë për Pronën Shtetërore, është rreth 1,8 milionë euro në vit. Kjo shumë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e procedurës së thirrjes publike, në të cilën të gjithë të interesuarit do të kenë mundësi të paraqesin ofertat e tyre.
Komuna e Tuzit ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për përgatitjen e kësaj procedure, me synimin që interesimi i investitorëve të shndërrohet në një projekt konkret përmes një procesi transparent dhe në përputhje me interesin publik.
Realizimi i një projekti të tillë do të mund të krijonte mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të Malësisë, si dhe për rritjen e interesimit të investitorëve në këtë trevë.
Megjithatë, shumat e investimit dhe afatet e realizimit janë pjesë e propozimit të investitorit, ndërsa përzgjedhja do të bëhet përmes procedurës publike dhe shqyrtimit të ofertave.
Malësia në duar të sigurta!
