Rama ironizon protestuesit pas refuzimit të tretë të dialogut: “Dhe ‘pedagogët’ erdhën përsëri…”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me ironi pas refuzimit për herë të tretë të ftesës për dialog nga studentët dhe pedagogët, në ditën e dhjetë të protestave që po zhvillohen në Tiranë.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka publikuar një video ku shihen momentet kur protestuesit largojnë stolat prej guri të vendosur për takimin e propozuar.

“Dhe ‘pedagogët’ erdhën përsëri…”, ka shkruar Rama, duke shoqëruar reagimin me videon nga ngjarja.

Kryeministri u kishte bërë sërish thirrje studentëve dhe pedagogëve për dialog, duke vendosur stola prej guri në vend të karrigeve të zakonshme, në pritje të pjesëmarrjes së tyre.

Megjithatë, ftesa u refuzua edhe këtë herë nga protestuesit, të cilët larguan stolat e vendosur për këtë qëllim, njësoj si në dy rastet e mëparshme.

Protestat në Tiranë kanë hyrë në ditën e dhjetë, ndërsa përplasjet dhe refuzimi i ofertave për dialog kanë lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të tensioneve mes protestuesve dhe qeverisë.

Burimi:botasot.info