Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se sulmet e përgjakshme tregojnë se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e Rusisë ndaj luftës.
Goditjet e reja ajrore erdhën vetëm pak orë pasi Presidenti rus Vladimir Putin i tha të dërguarit të SHBA-së, Steve Witkoff, se vendi i tij është i gatshëm të rifillojë bisedimet trilaterale me Uashingtonin dhe Kievit.
Sirenat e alarmit ajror u dëgjuan gjatë gjithë natës dhe ditës në Kiev, ku autoritetet komunale konfirmuan dy të vrarë dhe mbi 30 të plagosur. Goditjet dëmtuan ndërtesa banimi, objekte energjetike, dyqane.
Në qytetin e Lozova-s, dy gra humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas një sulmi në një treg të populluar. Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë urdhëruar evakuimin me shpejtësi të të gjitha familjeve dhe fëmijëve nga qytetet e linjës së frontit, Kramatorsk dhe Sloviansk.
“Sulmet filluan pothuajse menjëherë pasi i dërguari amerikan Witkoff dhe Putin mbajtën bisedime disaorëshe në Shën Petërburg. Kjo tregon se nuk ka asnjë ndryshim real në qëndrimin e Rusisë ndaj gjithçkaje që po ndodh” u shpreh Zelensky.
Sulmet e reja ushtarake erdhën në një kohë kur diplomacia ndërkombëtare po tenton të gjejë një rrugëdalje, megjithëse marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit mbeten të tenderuara.
Propozimet e SHBA-së: Kremlini deklaroi se është i hapur për bisedime trilaterale muajin e ardhshëm, por hodhi poshtë idetë e reja të paraqitura nga emisari amerikan Witkoff, të cilat u hartuan në bashkëpunim me vendet evropiane dhe Ukrainën.
Zelensky paralajmëroi për sulme të tjera në vijim dhe sugjeroi se Moska po shfrytëzon ngadalësimin e furnizimeve me sisteme të mbrojtjes ajrore (si Patriot) nga partnerët perëndimorë.
