Trump thotë se Musk i ka hequr kufizimet e Starlinkut për Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se drejtuesi i Starlinkut, Elon Musk, i ka hequr kufizimet për qasjen e Ukrainës në këtë shërbim të internetit satelitor. Rishtazi ka pasur polemika të shumta për kufizimet e përdorimit të Starlinkut nga Ukraina, tek i cili mbështetet shumë ushtria e saj.

“Ai e riktheu”, u tha Trump gazetarëve më 22 tetor, disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi për CNN se vendi i tij po përballej me kufizime në përdorimin e këtij shërbimi.

Musk nuk e ka komentuar ende deklaratën e fundit të Trumpit.

Një zyrtar ukrainas i tha Radios Evropa e Lirë se disa njësi ushtarake të vendit kishin raportuar rritje të shpejtësisë së internetit, por se kjo rritje nuk ishte zbatuar gjithkund.

Zyrtari shtoi se shpejtësia vazhdonte të ishte e pamjaftueshme për t’i vërejtur dronët rusë me motor reaktiv, të cilët Rusia po i përdor gjithnjë e më shpesh kundër Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën logjistike, energjetike dhe civile të vendit.

Më herët, i ngarkuari me punë i Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Denys Sienik, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se Kievi nuk kishte marrë përgjigje as nga Pentagoni, as nga kompania SpaceX e Muskut lidhur me këtë çështje. “Kufizimet e shpejtësisë nuk janë hequr”, tha Sienik.

Zelensky tha se shpresonte ta diskutonte këtë çështje me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë ditëve në vijim. Rubio kishte mohuar më herët se Trumpi ose ndonjë zyrtar tjetër i Qeverisë amerikane të kishte kërkuar ndryshime në këto sisteme.

Mosmarrëveshja lidhur me Starlinkun dhe shërbimin e tij për përdorim ushtarak, Starshield, ka ngritur pikëpyetje se kush i autorizoi kufizimet, nëse administrata Trump ishte në dijeni të tyre paraprakisht dhe si ndikuan këto ndryshime në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.

Një delegacion i Kongresit amerikan, i cili së fundmi vizitoi Kievin, tha se kufizimet kishin dobësuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe kishin vënë në rrezik personelin amerikan.

Dan Rice, ish-këshilltar i posaçëm i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe tani president i Universitetit Amerikan në Kiev, i tha Radios Evropa e Lirë se në këtë polemikë ishin ndërthurur disa çështje të ndryshme: shkëmbimi i informatave të inteligjencës, kufizimet e shpejtësisë së internetit satelitor dhe dërgesat e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore, Patriot.

Rice tha se besonte që Rubio po i referohej shkëmbimit të informatave të inteligjencës kur këmbënguli se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin ndërprerë ndihmën për Ukrainën.

“Informatat e inteligjencës u ndanë”, tha Rice, duke shtuar se një defekt teknik kishte penguar dërgimin e njoftimeve për sulme ajrore në telefonat e njerëzve.

“Nëse sekretari Rubio thotë se nuk ka pasur ndërprerje të informatave të inteligjencës, unë e besoj”, tha ai.

Ky dallim është i rëndësishëm, sepse vazhdimi i shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës nuk do të thotë patjetër se lidhja satelitore nuk është prekur.

Gjatë një informimi për shtyp më 21 tetor, një këshilltar i demokratëve në Senat, i cili sapo ishte kthyer nga Kievi, tha se delegacioni kishte parë dronë dhe raketa ruse që i afroheshin kryeqytetit me paralajmërime paraprake jashtëzakonisht të kufizuara.

Këshilltari tha se kufizimet në Starshield ishin në fuqi gjatë vizitës së delegacionit, nga 13 deri më 16 tetor, dhe se, sipas vlerësimit të tij, ato kishin vënë në rrezik si civilët ukrainas, ashtu edhe personelin amerikan.

Dronët rusë Shahed me motor reaktiv, të cilët mund të lëvizin me shpejtësi prej rreth 450 kilometra në orë, ose më shumë, janë sfidë e veçantë. Sipas raportimeve, kufizimet e shpejtësisë në Starshield fillimisht ishin vendosur në rreth 97 kilometra në orë, ndërsa më vonë u rritën në 161 kilometra në orë. Kjo nënkuptonte se sistemi mund ta humbiste lidhjen me objektet që lëviznin më shpejt.

Rubio mohon përfshirjen e SHBA-së

Duke folur në Mumbai më 21 tetor, Rubio theksoi se Starlink dhe Starshield janë dy sisteme të veçanta.

Starlink është një shërbim komercial i internetit satelitor, i cili mund të përdoret edhe për drejtimin e dronëve, tha ai. Ndërsa Starshield është një produkt i specializuar për mbrojtjen, i cili shitet dhe vepron përmes Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Rubio tha se nuk e kishte lexuar raportimin e gazetës The Wall Street Journal, sipas të cilit Musk kishte urdhëruar ngadalësimin e sistemit. Ai mohoi që Trumpi ose zyrtarë të tjerë amerikanë kishin kërkuar ndryshime apo se kishin qenë në dijeni të vendimit paraprakisht.

“As presidenti i Shteteve të Bashkuara, as askush në strukturat tona nuk ka kërkuar ndonjëherë që të bëhen ndryshime në atë sistem”, tha Rubio.

Ai argumentoi se Qeveria nuk mund t’ia diktojë një kompanie private mënyrën se si e menaxhon një produkt komercial. Megjithatë, ai e pranoi se Starshield funksionon sipas marrëveshjeve të ndryshme, pasi blihet për përdorim nga Qeveria.

Kongresi kërkon përgjigje

Demokratët dhe disa republikanë kanë bërë thirrje për hetime lidhur me ngadalësimin e sistemit.

Senatori Adam Schiff tha në një postim në rrjetet sociale se deklaratat kontradiktore e bëjnë të domosdoshëm një hetim të plotë nga Senati. Ai kërkoi që Musk të dëshmojë nën betim. Edhe senatori Ruben Gallego i bëri thirrje Muskut që ta shpjegojë vullnetarisht vendimin.

Senatori Chris Coons tha se Musku nuk duhet të ketë fuqinë të ndikojë në përfundimin e një lufte “me një të shtypur të pullës”. Ndërsa senatorja Elizabeth Ëarren paralajmëroi për rreziqet që krijohen kur një drejtues i një kompanie private, në praktikë, përcakton politikën e jashtme të SHBA-së.

Përfaqësuesi demokrat Ami Bera tha se ngadalësimi i sistemit kishte “paralizuar mbrojtjen ukrainase dhe kishte vënë në rrezik jetët e njerëzve të pafajshëm”. Ai kërkoi që Kongresi të përcaktojë se kush e autorizoi vendimin dhe të sigurojë që përgjegjësit të japin llogari. Edhe përfaqësuesi republikan Brian Fitzpatrick ka kërkuar hetim.

Veçmas, një grup dypartiak prej afro dy duzinash anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve i ka kërkuar Trumpit t’i bëjë presion Muskut që t’i lejojë Ukrainës të përdorë Starlink-un për të goditur brenda territorit rus pozicionet nga ku lëshohen raketat ruse.

“Nëse Ukraina nuk mund t’i interceptojë në mënyrë të besueshme ‘shigjetat’ ruse, ajo duhet të jetë në gjendje ta qëllojë ‘harkëtarin’”, shkruan ligjvënësit në një letër të dërguar më 21 tetor. Ata argumentojnë se Ukraina duhet të ketë mundësi t’i shkatërrojë platformat e lëshimit të raketave që përdoren për të sulmuar qytetet e saj. / REL

Burimi:botasot.info