Tajvani po përgatitet për përplasjen me tajfunin e fuqishëm Champi, i cili pritet të godasë ishullin me erëra deri në 173 km/orë, reshje intensive dhe dallgë të rrezikshme. Autoritetet kanë shpallur masa të gjera sigurie, ndërsa në pjesën më të madhe të territorit janë pezulluar puna dhe mësimi. Sipas parashikimeve meteorologjike, stuhia ka një rreze prej rreth 320 kilometrash dhe pritet të ndikojë në të gjithë ishullin. Administrata Qendrore e Motit paralajmëron se sistemi i stuhisë do të vazhdojë të prekë Tajvanin deri të shtunën në mbrëmje. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg plazheve, vijës bregdetare dhe zonave malore, për shkak të erërave të forta, reshjeve të dendura dhe rrezikut nga rrëshqitjet e dheut.
Të paktën një person ka humbur jetën në Tajvan pasi është marrë nga dallgët, sipas autoriteteve. Ndërkohë, ekipet e emergjencës po evakuojnë banorët në bregdetin verilindor, pranë një dige të rrezikuar nga rrëshqitjet e dheut dhe mundësia e dëmtimeve të shkaktuara nga stuhia. Reshjet e dendura kanë nisur të përfshijnë ishullin. Në disa zona të Taipeit janë regjistruar më shumë se 200 milimetra shi brenda 24 orëve, duke shtuar shqetësimet për përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Erërat më të forta priten në pjesën veriore të ishullit, ku sipas paralajmërimeve, shpërthimet e erës mund të arrijnë forcën 12 në shkallën Beaufort.
Për shkak të afrimit të tajfunit Champi, puna dhe mësimi janë pezulluar të premten në pothuajse të gjitha 22 qarqet dhe qytetet e Tajvanit. Përjashtim bën qarku Kinmen, një arkipelag në perëndim të ishullit, ku aktivitetet do të vijojnë normalisht. Masat e sigurisë kanë prekur edhe tregjet financiare. Bursa e aksioneve e Tajvanit, një nga më të mëdhatë në botë, është mbyllur për ditën e sotme.
Tajfuni ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje të transportit ajror në rajon. Më shumë se 160 fluturime janë anuluar nga katër linja ajrore japoneze. Kompania All Nippon Airways (ANA) njoftoi anulimin e të gjitha fluturimeve që niseshin ose mbërrinin në aeroportet Miyako dhe Ishigaki, në prefekturën Okinawa, për të gjithë ditën. Ndërkohë, probleme janë raportuar edhe në aeroporte të tjera japoneze, përfshirë Okhotsk Monbetsu, Okinawa Naha, Tsushima, Miyazaki dhe Kagoshima.
Edhe Japan Airlines ka anuluar fluturime drejt Aeroportit Songshan të Taipeit dhe Aeroportit Ndërkombëtar Taoyuan të Tajvanit.
Burimi:TV21
