Shoqata AJO, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Komunës së Çairit, organizoi më 22 tetor, në Bushi Resort, aktivitetin “Digital Safe Girls Day 2026”, kushtuar sigurisë digjitale dhe fuqizimit të vajzave dhe grave të reja.
Me këtë aktivitet, AJO nis një iniciativë për ta shënuar çdo vit 22 tetorin si “Digital Safe Girls Day”, duke krijuar hapësirë për edukim praktik, shkëmbim përvojash dhe përfshirjen e vajzave në hartimin e rekomandimeve që lidhen me sigurinë dhe pjesëmarrjen e tyre në hapësirën digjitale. Nisma filloi në Çair, me synimin që të shtrihet edhe në komuna të tjera.
Në sesionin hyrës, Jasmina Todorovska Miteva dhe Majda Joshevska Stojoska nga Misioni i OSBE-së në Shkup trajtuan sigurinë online, të drejtat digjitale, mënyrat e raportimit dhe kërkimit të ndihmës. Vëmendje iu kushtua edhe përfshirjes së djemve dhe burrave të rinj në promovimin e respektit, barazisë dhe modeleve pozitive të maskulinitetit.
Paneli “Të sigurta dhe me vetëbesim online”, i moderuar nga gazetarja Arlinda Baftiu, solli përvojat e Marija Mitevskës, gazetare hulumtuese në Telma dhe kryetare e Rrjetit të Grave në Media “Equal”; Getoarbë Mulliqit, drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës; dhe Lume Dervishit, gazetare në Alsat dhe anëtare e Rrjetit të Grave në Media “Equal”.
Diskutimi u përqendrua te ngacmimi online, privatësia, presioni në rrjetet sociale, përmbajtjet çorientuese, inteligjenca artificiale dhe mundësitë për mbështetje. Përmes përvojave profesionale dhe personale, panelistet diskutuan edhe ndikimin e sulmeve online në pjesëmarrjen e grave në jetën publike.
Në pjesën praktike, Leunora (Nora) Kaliqi, me mbështetjen e Diana Zhupanoskës dhe Eva Jovanovës nga Misioni i OSBE-së në Shkup, udhëhoqi punën me pjesëmarrëset për mbrojtjen e privatësisë dhe llogarive, identifikimin e profileve të rreme, verifikimin e burimeve dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.
Pjesëmarrëset punuan në grupe dhe hartuan rekomandime për shkollat, institucionet, familjet dhe të rinjtë. Propozimet e tyre do të përfshihen në përmbledhjen përfundimtare të aktivitetit dhe do të shërbejnë si bazë për angazhimet e mëtejshme të AJO-s.
Aktiviteti shënoi rikthimin e veprimtarisë së AJO-s, iniciativë e nisur në vitin 2009, me fokus fuqizimin e vajzave dhe grave, pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe ndikimin në politikat që i prekin.
Fotografi nga aktiviteti:
https://www.facebook.com/
