​Digjen ambientet e “Dritare TV”, reagon drejtuesja Rudina Xhunga

Një zjarr ka rënë në ambientet e një kompleksi pallatesh, ku ndodhen edhe zyrat e medias online ‘Dritare TV’.

Mësohet se flakët kanë lënë pas dëme të mëdha në regjinë e transmetimit të “Dritare TV”, ndërkohë që drejtuesja, gazetarja Rudina Xhunga, ka rrëfyer momentet e përhapjes së zjarrit që nisi nga tubat e aspirimit të një restoranti dhe që u përhap në ambientet e zyrave të medias online.

Ajo tregoi se flakët ‘mbërritën’ në redaksi, sapo kishte përfunduar xhirimi i dy emisioneve.

“Po digjeshim”, shprehet Xhunga, duke kujtuar momentet kur prioritet sipas saj ishte nxjerrja e njerëzve jashtë, fikja e automateve dhe mbërritja e zjarrfikësve, të cilët ajo i falënderon për ndërhyrjen e shpejtë.

Shuarja e zjarrit dhe shkrirja e tubave të shkarkimit të ujërave dhe të shiut shkaktuan përmbytjen e ambienteve.

Xhunga ka treguar se edhe sot, uji ka vijuar të depërtojë në hapësirat e dëmtuara. Gazetarja bën të ditur se janë bërë kallëzime në Prokurori dhe Polici, ndërsa ka edhe një mesazh për ndjekësit e “Dritare TV”.

“Na falni për këtë periudhë me pak aktivitet! Por do të vijojmë të jemi bashkë”, thotë drejtuesja e medias online, Rudina Xhunga.

Burimi:botasot.info