Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur dakordim në parim për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme partiake, pas një mbledhjeje të përbashkët me drejtuesit e Qendrave në Kosovë dhe në mërgatë, ku u diskutua edhe për zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
Takimi u mbajt sonte në zyrën qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilin morën pjesë kryetari i kësaj partie dhe njëherësh kryeministri, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, koordinatori i Qendrave, Salih Zyba, si dhe anëtarë të Kryesisë Qendrore.
Sipas komunikatës së LVV-së, gjatë mbledhjes u diskutua për situatën aktuale politike, zhvillimet institucionale, prioritetet e qeverisjes dhe angazhimet politike e organizative të partisë për periudhën e ardhshme.
Kurti falënderoi strukturat organizative, drejtuesit e Qendrave, aktivistët dhe anëtarësinë në Kosovë e në mërgatë për angazhimin dhe mbështetjen e tyre në proceset zgjedhore dhe në aktivitetet e Lëvizjes.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua organizimit të brendshëm të partisë, me theks të veçantë te procesi i zgjedhjeve të brendshme. Pas diskutimeve me drejtuesit e Qendrave dhe anëtarët e Kryesisë, palët arritën dakordim në parim për shpalljen e këtij procesi.
Sipas LVV-së, zgjedhjet e brendshme synojnë ripërtëritjen dhe konsolidimin e strukturave partiake, zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë, avancimin e kuadrove dhe forcimin e lidhjes së partisë me qytetarët në të gjitha nivelet e organizimit.
Në komunikatë theksohet gjithashtu rëndësia e fuqizimit të Qendrave nëpër komuna, me synimin për të zgjeruar praninë e alternativës së saj qeverisëse në nivel lokal dhe për të rritur angazhimin në adresimin e nevojave të qytetarëve.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë të ditur se synon që nga ky proces të dalë me struktura më të konsoliduara dhe më të përgatitura për angazhimet e ardhshme politike dhe organizative.
Megjithatë, në komunikatën e publikuar nuk janë bërë të ditura data e shpalljes zyrtare dhe afatet konkrete për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme.
Burimi: botasot.info
