Katër diskoteka të reja nën Kalanë e Shkupit, rikthehet edhe pishina „Plaja Vista“

Zona pranë Kalasë së Shkupit, ku dikur funksiononte pishina „Plaja Vista“, do të shndërrohet në një hapësirë sportive, rekreative dhe argëtuese. Projekti parasheh ndërtimin e katër diskotekave verore, parkingut dhe rikthimin në funksion të pishinës.

Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se diskotekat do të ndërtohen dhe rregullohen nga vetë qyteti, ndërsa më pas do të jepen me qira me çmime të tregut. Sipas autoriteteve, do të sigurohet edhe izolim adekuat i zërit për të shmangur problemet me muzikën e lartë.

Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e një fushe futbolli në vendin e ish-rëshqitëses së akullit dhe një terreni për padel. Po shqyrtohet edhe mundësia që stacioni policor „Beko“ të zhvendoset në këtë zonë, për të garantuar sigurinë dhe respektimin e ligjit.

Diskotekat e mëparshme në Parkun e Qytetit u rrënuan këtë pranverë për shkak të planeve për ndërtimin e lunaparkut të ri.

Megjithatë, projekti i lunaparkut është vonuar. Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi më 15 tetor se kontrata prej rreth 10 milionë eurosh me kompaninë „Mastef“ ishte ndërprerë me marrëveshje, pas një vendimi gjyqësor lidhur me pajisjet e blera gjatë mandatit të ish-kryetarit Koce Trajanovski.

Tani qyteti duhet të analizojë pajisjet që ka në dispozicion dhe të nisë procedura të reja për blerjen e atyre që mungojnë.