“Rënia e Vuçiqit mund të jetë fillimi i fundit…” – Kuçi me mesazh të fortë pas zgjedhjeve në Serbi

Pranimi i humbjes në zgjedhje nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shënuar një zhvillim të rëndësishëm në skenën politike të Serbisë, duke ngritur pikëpyetje për të ardhmen e vendit dhe ndikimin që ndryshimet politike mund të kenë në raport me Kosovën.

Lidhur me këtë, ka reaguar Gurakuç Kuçi, i cili ka vlerësuar se humbja e Vuçiqit mund të hapë rrugën për fundin e politikave destabilizuese të Serbisë.

Sipas tij, ndryshimet politike në Serbi nuk duhet të shihen automatikisht si garanci për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi prova e vërtetë e një ndryshimi të tillë do të jenë veprimet konkrete të udhëheqjes së ardhshme serbe, transmeton “Bota sot”.

Reagimi i plotë

VUÇIQI HUMB ZGJEDHJET, POR A PO HUMB SERBIA EDHE POLITIKËN E DESTABILIZIMIT?

Pas më shumë se një dekade dominimi politik, Aleksandar Vuçiqi ka pranuar humbjen përballë lëvizjes studentore. Ky është një zhvillim i rëndësishëm jo vetëm për Serbinë, por edhe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Qasja e studentëve ndaj Kosovës, megjithëse nuk dallon thelbësisht nga qëndrimi tradicional serb për pavarësinë e saj, duhet analizuar edhe në kontekstin elektoral. Shmangia e çështjeve të ndjeshme të politikës së jashtme mund të ketë qenë një taktikë për të bashkuar qytetarët rreth luftës kundër korrupsionit, autoritarizmit dhe kapjes së institucioneve.

Prandaj, nuk duhet të nxitojmë ta barazojmë lëvizjen studentore me regjimin e Vuçiqit, por as të supozojmë se ndryshimi i pushtetit sjell automatikisht ndryshimin e politikës ndaj Kosovës.

Regjimi i Vuçiqit e ka përdorur nacionalizmin, tensionet me Kosovën dhe retorikën e kërcënimit si instrumente të pushtetit politik. Humbja e tij krijon mundësinë që Serbia të mos vazhdojë me të njëjtën qasje konfliktuale dhe destabilizuese.

Megjithatë, prova e vërtetë e ndryshimit nuk është vetëm demokratizimi i brendshëm i Serbisë, por edhe sjellja e saj ndaj fqinjëve.

Për Kosovën, ndryshimi politik në Beograd duhet vlerësuar mbi veprimet konkrete, jo mbi deklaratat elektorale.

Rënia e Vuçiqit mund të jetë fillimi i fundit të një modeli destabilizues, por fundin e tij do ta dëshmojë vetëm politika që do të vijë pas tij.

Burimi: botasot.info