Shkup, 22 prill – Aktvendimet në lëndën “Parcelat në Vodno” janë edhe një vërtetim i fortë i asaj që qytetarët, opinioni në Maqedoni dhe të gjithë e dinë se: VMRO-DPMNE është parti kriminale. Kështu shprehen sot nga partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, informon Zhurnal.
Ata shprehen se shefi i Mickoskit (Gruevski) u dënua me 7 vite burg ndërsa krimet për të cilat akuzohet, janë kryer gjatë vitit 2015, atëherë kur këshilltar i Gruevskit ishte pikërisht Hristijan Mickoski.
“Shefi i Mickoskit është dënuar me dënim prej 7 viteve burg. Larje të parave, pasurim ilegal, fshehje e pasurisë dhe keqpërdorim të parave nga anëtarët e VMRO-DPMNE-së janë veprat penale që shefi i Mickoskit i ka kryer në këtë lëndë gjyqësore. Këto vepra penale për të cilat tani ka aktvendim gjyqësor, janë bërë edhe në vitin 2015, periudhë kur Hristijan Mickoski ishte këshilltar i Gruevskit”, thuhet në reagimin e partisë.
Siç shtojnë, pas rasteve “Tanku” dhe “Dhuna në Qendër”, ky është aktvendimi i tretë me dënim me burg për Gruevskin.
“Pse heshtë Mickoski? VMRO-DPMNE ngelet partia më kriminale në Evropë, ndërsa Mickoski ngelet mbrojtësi i vetëm i krimit”, thuhet në kumtesën e sotme të LSDM-së./Zhurnal.mk