Ferati – Rokas: Bashkëpunimi me BE-në për zhvillim të barabartë dhe institucione më të forta
Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, sot priti në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian, Michalis Rokas. Gjatë takimit u diskutua për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive si një nga shtyllat themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të qëndrueshme. Vëmendje e veçantë iu kushtua përfshirjes aktive të të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, si bazë për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse. Ministri Ferati dhe ambasadori Rokas folën edhe për forcimin e kapaciteteve institucionale të ministrisë së Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, me qëllim rritjen e efikasitetit në hartimin dhe zbatimin e politikave që kontribuojnë në kohezionin shoqëror. Dy bashkëbiseduesit vlerësuan mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për projektet që kontribuojnë në zhvillimin e barabartë të rajoneve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ministri Ferati shprehu mirënjohjen për partneritetin me Bashkimin Evropian, duke theksuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në iniciativa që forcojnë bashkëjetesën, zhvillimin institucional dhe perspektivën evropiane të vendit.