GazetaMax
Lajme

Intervistë e gazetarit slloven Primoz Cirman: Skandalin e fabrikoi Janez Jansha – Berishaj ishte miku i tij, por e sakrifikuan

Kryeredaktori i mediumit hulumtues slloven Necezurnirano, Primoz Cirman, për Albanian Post ka thënë se skandali për shpëlarje parash është i fabrikuar nga pushteti në Slloveni për të njollosur rivalin opozitar dhe se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përdorur nga miku i tij Jansha, meqë ata ia njohin lidhjet e vjetra politike e biznesore.

“Mendoj se Martin Berishaj është dëm kolateral i tentimit të Janez Janshas për të shkatërruar rivalin e tij politik Robert Golob. Mendoj se zotëri Berishaj është sakrifikuar për interesin e partisë në pushtet”, ka thënë ai.

Cirman e ka zgjeruar më shumë versionin e tij, duke e vendosur në kontekst atje, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen të dielën më 24 prill.

“Berishaj është mik i vjetër i Janshës, është mbështetës publik i tij. E pat mbështetur publikisht në vitin 2018 para zgjedhjeve parlamentare. Ishte fotografuar së bashku me zotëri Janshën në zyrat e partisë. Ai ka mbështetur publikisht edhe ministrin aktual të Punëve të Jashtme të Sllovenisë që ishte, në vitin 2018, kandidat për kryetar komune në Lubjanë”.

Por, Cirman nuk beson se, përkundër kësaj miqësie, Berishaj zgjodhi që të bëhej qëllimisht pjesë e këtij skandali, siç thotë ai, të fabrikuar, vetëm për t’i hyrë në punë Janshës.

“Berisha ka raporte të kamotshme me partinë në pushtet. SDS me siguri di shumë për lidhjet biznesore të Berishajt në vendet e ish-Jugosllavisë, megjithatë nuk besoj se Berishaj ka vendosur ta sakrifikojë reputacionin e tij, sidomos në aspektin diplomatik, vetëm për mbështetje politike të Janshës”.

“Prandaj mendoj se kjo storie është prodhuar dhe vënë krejtësisht jashtë kontekstit vetëm për të fabrikuar një aferë politike, që të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve në prag të tyre”, pohon ai.

“Kjo storie është publikuar nga TV Planet. TV Planet ka pronar Jozsef Vidan, i cili është oligark hungarez, shok shumë i ngushtë i Viktor Orban. Ky televizion është në linjë të plotë me SDS-in”.

“Është i influencuar krejtësisht nga Jansha dhe ne në media e dimë se çdo storie që lëshohet, gjatë kësaj kohe, dirigjohet nga SDS-i. Ky është një sekret publik. Dhe çfarë ndodhi ishte se, ata e publikuan një dokument të transaksioneve. Sipas burimeve tona ky dokument është bërë nga zyra kundër-shpëlarjeve të parave në Mal të Zi dhe i ishte dërguar zyrës kundër shpëlarjeve të parave në Serbi. Pra, çfarë dëgjojmë sot, zyra kundër shpëlarjeve të parave në Serbi ka bërë një kërkesë për të dhëna të bizneseve të zotëri Berishajt dhe e kanë bërë këtë me kërkesën e Sllovenisë që, gjithashtu, udhëhiqet nga partia në pushtet”.

“Pra, sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.

“Zotëri Jansha është prapa në sondazhe, me shumë gjasë ai nuk do ta formojë qeverinë e re, prandaj media të afërta me zotëri Janshan kanë prodhuar këtë storie dhe bizneset e Berishajt në Ballkan janë përdorur dhe janë vënë në këtë kontekst për të prodhuar ndonjë aferë dhe Berishaj do të dukej si një person që pastron para për elitën politike në Slloveni”.

I pyetur se si shihet figura e Berishajt në publikun dhe mediat sllovene, Cirman ka pohuar se tashmë ambasadori në Kroaci është shumë i njohur atje, sidomos në komunitetin shqiptar të Sllovenisë.

“Berisha njihet si përfaqësuesi kryesor i shqiptarëve në Slloveni. Ishte shumë aktiv në vitet e më hershme kur minatorët e Trepçës kishin shkuar në grevë urie që rebeloheshin kundër Millosheviçit. Sllovenia e pati mbështetur atë lëvizje dhe Berishaj është i pari që kishte themeluar një Asociacion të Shqiptarëve në Slloveni dhe kjo shoqëri ishte shumë influencuese në qarqet shqiptare. Kishte lidhje të forta dhe politike edhe biznesore me të djathtën sllovene dhe viteve të fundit është mbështes i hapur i Janshës”.

Prandaj, thotë gazetari slloven, “Jansha po mundohet ta bindë publikun slloven se rivali i tij politik po bënte shpëlarje parash përmes shokut të tij, ky pra është konteksti i situatës”.

/Albanianpost.com

Related posts

Arsovska: Për herë të parë BNJVL po politizohet për interesa partiake

Gazetamax.mk

Borisllavova: Më me rëndësi është të ketë konsenzus të gjerë për temën Maqedonia e Veriut

Gazetamax.mk

Kreu i Bllagoevgradit për klubin maqedonas: Komuna nuk do ta zyrtarizojë këtë ngjarje private

Gazetamax.mk