Denoncimi i deputetes së PD në Parlament: Nuk po arrestohet, emëron ministra dhe drejtorë policie

Për të ditën dytë deputetët e opozitës nuk morën pjesë në komisionet parlamentare.

Ata vendosën të dërgonin vetëm një anëtarë për të përcjellë mesazhin se në situatën ku jemi nuk mund të ketë normalitet të jetës parlamentare.

Në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme demokratja Albana Vokshi solli rastin e ish zëvendës kryeministres Belinda Balluku.

Konkretisht ajo shprehu se jeta parlamentare nuk mund të vijojë normalisht, kur vendi ndodhet në krizë ndërsa shtoi se nuk mund të ndodhë që të arrestohen qytetarët sepse protestojnë ndërkohë që ish zv.kryeministrja Belinda Balluku, mbrohet me kartonat e deputetëve të mazhorancës. Më tej ajo tha se pralamenti nuk përfaqëson vullnetin e popullit, por krimin e organizuar.

Kryetari i komisionit, deputeti socialist, Igli Hasani iu përgjigj koleges demokrate duke i thënë se çdo përfaqësues në Kuvend është i zgjedhur në mënyrë të lirë.

Pjesë nga diskutimi:

Vokshi: Nuk mund të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë, kur vendi në fakt është në krizë. Nuk mund të vazhdojmë sikur jemi në normalitet, kur jashtë ka protestë e cila vazhdon prej 4 muajsh dhe në 14 ditët e fundit kemi parë një dhunë të eskaluar dhe të paprecedentë. Jo njëri të dënohet pse po proteston dhe tjetra që ka 1.2 bilion euro, ka 300 shpi, që pretendohet, ka dy varka, të mbrohet me votat tuaja, me kartonët tuaj. Të mos i hiqet imuniteti dhe mos të arrestohet, të jetë akoma duke vendosur ministra apo drejtorë policie apo drejtues të rëndësishëm, në qarqe apo në qeverinë qendrore. Në çdo fjalim thoni fituam 83 mandate, po pse për një vit ndryshoi perceptimi tek qytetarët për korrupsionin tuaj, jo. Dhe kjo revoltë dëshmon edhe një herë që zgjedhjet e 2025 janë të vjedhura. Votat nuk i fituat, i vodhët, duke përdorur dhe bandat kriminale. Është koha që të distancohen nga këto paketat që cenojnë të drejtat kushtetuese. E qartë që ky parlament nuk është vullneti i popullit, është i bandave. Jeni një pjesë e mirë e juaja përfaqësues të krimit të organizuar, edhe disa në këtë komision, jo të gjithë. Pra mos na e shisni më këtë 83 mandate.

Hasani: Të gjithë përfaqësuesit e popullit në këtë Kuvend janë zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike, ashtu si dhe ju dhe të gjithë përfaqësuesit e Partisë Socialiste përfaqësojnë elektoratin tonë, përfaqësojnë një fitore që ka qenë konkrete dhe ka qenë prezente që nga viti 2013, thirrjeve për shpërndarje parlamenti ne nuk kemi pse t’u përgjigjemi. Nëse doni të hiqni dorë nga mandatet, bëjeni dhe ne do të vazhdojmë, gjithsesi faleminderit për marrjen e fjalës, ne do të vazhdojmë diskutimet në komision.

Burimi:botasot.info