GazetaMax
Lajme

Java evropiane e imunizimit – shënimi i përparimit dhe potenciali i vaksinave për jetë të gjatë cilësore

Shkup, 28 prill – Java evropiane e imunizimit, që çdo vit shënohet tradicionalisht prej 24 deri më 30 prill, është moment i volitshëm të mendojmë për rëndësinë e vaksinimit, si një nga themelet e sistemit funksional shëndetësor publik. Këtë vit, Java evropiane e imunizimit i cekë arritjet historike të vaksinimit, përfshirë edhe përparimin drejt çrrënjosjes së polios dhe eliminimit rajonal të fruthit dhe rubeolës, si dhe potencialeve për arritje akoma më të mëdha, si për shembull vënien nën kontroll të Hepatitit B dhe eliminimin e kancerit në grykën e mitrës, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk ka dyshim se imunizimi kontribuon për popullatë të shëndoshë. Derisa punuam në mbrojtjen e popullatës sonë nga KOVID-19, përfshirja me vaksinat e rregullta ra nën nivelin optimal. Tendenca jonë është ta arrijmë përfshirjen e rekomanduar prej 95 për qind, për atë qëllim në bashkëpunim me shtëpitë e shëndetit fillojmë me punë të përforcuar terreni për thirrje të fëmijëve për vaksinim. Duhet të shfrytëzohet çdo mundësi për vaksinim të fëmijëve dhe të rriturve, në pajtim me kalendarin për imunizim të rregullt”, thekson ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Pandemia e KOVID-19 goditi shumë vende në mbarë botën, ndërsa pasojat po ndjehen, mes tjerash edhe në fushën e vaksinimit. Në Maqedoni të Veriut, OBSH dhe UNICEF-i bashkëpunuan me autoritetet shëndetësore të shtetit dhe partnerët për zbatimin e vaksinimit kundër KOVID-19 në të gjitha pjesët e shtetit dhe për të gjitha grupet e popullatës. Deri më sot, 46,5 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë aplikuar dy doza të vaksinës kundër KOVID-19, ndërsa vetëm 8,4 për qind kanë aplikuar edhe dozën e tretë. Java evropiane e imunizimit është mundësi t’u falënderohemi të gjithë punonjësve shëndetësorë të cilët punuan në mënyrë të palodhshme për t’i mbrojtur të tjerët përmes vaksinimit. Këto përpjekje nuk do të ndalen, gjithnjë derisa të gjithë të cilët i përmbushin kushtet për t’u vaksinuar, nuk mbrohen plotësisht, e posaçërisht personat më të moshuar ende të pavaksinuar të cilët janë kategoria më e ndjeshme e qytetarëve nga aspekti i sëmurjes nga forma e rëndë e sëmundjes, informojnë nga Ministria.

“Vaksinat janë me rëndësi të madhe në historinë tonë, e posaçërisht në vitet e fundit për shkak të pandemisë. Ato na mbrojnë si individë dhe na ndihmojmë të mbrohemi me njëri-tjetrin si pjesëtarë të bashkësisë globale. Java evropiane e imunizimit, këtë vit, shënohet nën moton ‘Jetë të gjatë për të gjithë’, ka për qëllim të cekë se sa është e rëndësishme qasja e drejtë dhe më e gjerë drejt vaksinave, me çka do të kontribuohet drejt jetës së gjatë dhe cilësore për secilin”, thotë dr. Ane Johansen, përfaqësuese e posaçme e OBSH-së dhe u.d. shefe e Zyres së OBSH-së në Shkup.

Edhe pse shërbimet për imunizim rutinor ishin të kapshme gjatë pandemisë së KOVID-19, pati probleme të theksuara që kontribuuan për shkallë të zvogëluara tek vaksinat e rregullta për fëmijë gjatë vitit 2020. Vlerat mesatare në nivel nacional në vitin 2021 tregojnë përmirësime të caktuara në krahasim me vitin 2020, por përqindjet prej 70,4 përfshirje me vaksinim në nivel nacional për fruthin, rubeolën dhe shytat (MRP1) për fëmijë të moshës prej 12 muaj dhe 80,4 (MRP2) rivaksinim janë ende larg numrit të dëshiruar prej 95 për qind, i cili nevojitet për përfitim të imunitetit kolektiv. Për mbrojtje të fëmijëve dhe parandalim të epidemive, me rëndësi esenciale është t’i sigurohet çdo fëmije, i cili nuk e ka marrë ndonjë vaksinë të paraparë qasje të lehtë drejt të njejtës në mënyrë që të mund t’i marrë dy dozat e nevojshme”, theksojnë nga Ministria.

“Falë shkallëve të larta të vaksinimit në të kaluarën, prindërit e sotëm patën fat të rriten pa parë se si anëtarë të familjes apo miq vdesin apo vuajnë nga invaliditeti jetësor nga sëmundje si fruthi apo paraliza e fëmijëve. Ironike, ky është një prej shkaqeve përse disa besojnë se sëmundjet që mund të parandalohen me vaksina tashmë nuk janë kërcënim. U bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve: Ua siguroni fëmijëve tuaj mbrojtjen që ua siguruan prindërit tuaj në të kaluarën”, deklaroi Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoni të Veriut.

Vaksinimi është prioritet dhe përfitim kyç për shëndetin publik. Me promovim dhe edukim të vazhdueshëm janë përfshirë punonjësit shëndetësorë dhe prindërit, me qëllim që edhe në të ardhmen të rritet përfshirja me të gjitha vaksinat. Të mos lejojmë të çrregullohet tradita shumëvjeçare e vaksinimit të suksesshëm dhe të mos rrezikojmë dukuri të sëmundjeve ngjitëse dhe epidemeive në shtet, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Related posts

Financimi i fushatave mbetet në fuqi, kushtetuesja refuzon nismën e Trajanovit

Gazetamax.mk

Qeveria miraton vendimin për lëvizjen e qytetarëve me letërnjoftime në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë dhe Serbi

Gazetamax.mk

Gjendja dhe dëshirat e partive politike/ Dikush don Evropë, dikush pushtet !

Gazetamax.mk