Shqiptari dhe Milani mbeten të shtangur në “San Siro”

Bologna ka shënuar fitore me përmbysje të madhe, duke e mposhtur Milanin me rezultat 4:2, në ndeshjen e javës së 9-të në Serie A.

Futbollisti shqiptar, Ardon Jashari, u paraqit gjatë gjithë ndeshjes për Milanin, por kësaj radhe gjërat nuk shkuan sipas planit për të dhe skuadrën e tij.

Jashari dhe bashkëlojtarët e tij mbetën të shtangur nga përmbysja e Bolognas në “San Siro”.

Ndeshja u karakterizua nga kthesa të mëdha në rezultat. Bologna kaloi fillimisht në epërsi 0:1, Milani përmbysi rezultatin në 2:1, por mysafirët fituan takimin me rezultat 2:4.

Në minutën e 8-të, Bologna konkretizoi presionin e minutave të para. Musah humbi topin, Pobega pasoi te Zortea, i cili harkoi ulët, ndërsa Mbangula, i gjendur i lirë në zonë, shënoi për 0:1.

Reagimi i Milanit ishte i shpejtë. Në minutën e 14-të, pas një gabimi të rëndë të Theates, topi përfundoi te Cisse, i cili, i vetëm në zonë, mposhti portierin Skorupski për rezultatin 1:1.

Cisse shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 27-të. Tomori reagoi shkëlqyeshëm, arriti i pari te topi dhe harkoi drejt zonës, ku Cisse, me një goditje akrobatike, e dërgoi topin në rrjetë për epërsinë 2:1 të Milanit.

Megjithatë, Bologna, që edhe një herë dëshmoi se mund t’ua vështirësojë punën skuadrave të mëdha, shënoi dy gola brenda pak minutash, duke e përmbysur rezultatin.

Në minutën e 61-të, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Miranda, topi kaloi përgjatë zonës dhe Bartesaghi, në përpjekje për ta larguar, e dërgoi atë në portën e tij për rezultatin 2:2.

Pa kaluar as një minutë, Bologna shënoi sërish! Miranda u bë sërish protagonist, duke depërtuar nga krahu i majtë dhe duke harkuar në zonë. Mbangula kërceu mbi Diawaran dhe mposhti portierin Maignan për rezultatin 2:3.

Në minutën e 86-të, pas asistimit të Jens Odgaardit, Mbangula e dërgoi topin në portën e zbrazët, 2:4.

Kështu, Bologna mori një fitore të madhe në “San Siro”, ndërsa Milani pësoi një humbje të rëndë para tifozëve të vet.

Pas kësaj ndeshjeje, Milani renditet në vendin e pestë me 18 pikë, ndërsa Bologna gjendet në vendin e 11-të me 11 pikë.

Burimi: botasot.info