​Cancelo: Ishim superiorë ndaj Realit

Mbrojtësi i Barcelonës, João Cancelo, ka komentuar humbjen nga Real Madridi në El Clasico, duke insistuar se skuadra katalanase ishte më e mirë në fushë, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara.

“Ne ishim superiorë, por ky është Real Madridi. Ata kanë pak raste dhe shënojnë gola. Në përgjithësi, mendoj se ishim skuadër më e mirë, por duhet të reagojmë”, deklaroi Cancelo pas ndeshjes.

Portugezi pranoi se Barcelona duhet të përmirësojë mënyrën se si e kontrollon lojën përmes posedimit të topit, duke theksuar se skuadra e tij nuk arriti ta bëjë këtë në nivelin e duhur.

“Ka raste kur duam të bëjmë presion lart, por ka edhe momente kur duhet ta kontrollojmë më shumë ndeshjen me topin, sepse aty jemi të mirë. Duhet ta mbajmë më shumë topin, ta qarkullojmë dhe të krijojmë raste. Na mungoi kjo, megjithëse patëm më shumë raste se Madridi”, tha ai.

Cancelo bëri thirrje për reagim të menjëhershëm të skuadrës, e cila do të përballet me Alavesin në ndeshjen e ardhshme të kampionatit spanjoll.

“Tani duhet të punojmë. Djemtë janë të motivuar për t’u përgjigjur ndaj Alavesit dhe këtë do ta bëjmë”, përfundoi mbrojtësi portugez.

Në një intervistë tjetër për DSports, Cancelo e përshkroi humbjen si të dhimbshme, duke pranuar se Barcelona pati vështirësi në pjesën e parë për ta qarkulluar topin dhe shpesh nxitoi në pasimet për depërtimin e vijave kundërshtare.

“Kur humbim, nuk është gjithçka keq dhe kur fitojmë, nuk është gjithçka mirë. Prandaj do të reagojmë”, tha ai, duke kërkuar që skuadra të ruajë besimin pavarësisht kritikave.

Barcelona pësoi humbjen e parë në La Liga këtë sezon, pasi Real Madridi triumfoi 2-1 në Camp Nou, me dy gola të Kylian Mbappes. Për katalanasit shënoi Raphinha, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen në derbin e madh spanjoll.

Burimi: botasot.info