Aksioni i policisë përfundoi me prangosjen e 8 personave, në mesin e tyre ish-drejtorë të Fondit të sigurimit shëndetësor dhe zyrtarë të spitalit privat “Sante Plus”. Gjatë bastisjes në tri qytete janë sekuestruar edhe prova materiale, përveç tjerash 50 mijë euro para të gatshme dhe aparate celulari. Nga Ministria e Brendshme thonë se është shkatërruar një grup i organizuar kriminal, të cilët ju kanë marrë pacientëve para privatisht për operacione të syve edhe pse shërbimet janë mbuluar nga Fondi.
Aksion i udhëhequr nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është zhvilluar që nga mëngjesi i së mërkurës dhe sipas informacioneve jozyrtare, në mesin e personave të përfshirë në hetim është edhe ish-drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev, i cili përmendet si personi i parë i kallëzuar në këtë rast. Po ashtu informacionet jozyrtare për rastin përmendin edhe Ridvan Asani, ish-kryetar i Bordit Drejtues të FSSh-së, Vesna Qamillova, ish-menaxhere e spitalit “Sante”, si dhe Salih Bozkurt, ish-pronar dhe person i autorizuar në spital, Cveten Serafimovski, ish-drejtor i Departamentit të Kontrollit në FSSH; Zhaklina Stamenkova, ish-drejtoreshë e njësisë rajonale të FSSH-së në Shkup; si dhe Irena Popovska, shefja aktuale e njësisë rajonale në Shkup.
Sipas autoriteteve ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar, punën e pandërgjegjshme në shërbim, mashtrimin dhe pastrimin e parave. Të dëmtuar dyshohet se janë edhe një numër i madh i pacientëve, të cilët janë trajtuar në këtë spital.
Burimi:TV21
