Tragjedia Thyerja e Ilir Muharremit trajton errësirën e dhunës brenda familjes dhe çastin kur marrëdhëniet njerëzore shkatërrohen nga mendësia e dhunshme dhe humbja e kontrollit.
E frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, vrasja e Chris Wattsit ndaj bashkëshortes së tij, Shanann, dhe dy vajzave të tyre, vepra depërton në anën e errët të njeriut dhe në pasojat shkatërruese të dhunës ndaj gruas dhe familjes.
Përmes personazhit Dani, i cili rrëfen krimin e kryer ndaj bashkëshortes së tij, Anablës, tragjedia shpalos një botë ku dashuria shndërrohet në tmerr, ndërsa familja, që duhet të jetë hapësirë e sigurisë, bëhet vend i shkatërrimit.
Thyerja nuk paraqet vetëm një krim, por edhe një thyerje morale e njerëzore, duke e vënë lexuesin përballë pyetjes se si mund të lindë dhuna brenda marrëdhënieve më të afërta.
Në dritën e vrasjes së Arlinda Zekajt, tragjedia merr një domethënie edhe më të dhimbshme: arti dhe letërsia na kujtojnë se dhuna ndaj grave nuk është një fat i pashmangshëm, por një plagë shoqërore që kërkon vëmendje, reagim dhe parandalim.
Burimi: Botasot
